Trump shkrin USAID-in, nuk ka më ndihma për OJQ fantazmë

Administrata Trump ka vendosur të mbyllë sot zyrtarisht Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), duke i dhënë fund një epoke dekadash ndihme të jashtme të pakushtëzuar dhe shpesh joefektive.

Lajmi u dha nga Sekretari Rubio dhe vjen pas një analize të thellë që shpërfaqi paaftësinë kronike të USAID-it për të promovuar interesat kombëtare të SHBA-së, pavarësisht qindra miliardë dollarëve të investuar globalisht.

Sipas tij, kjo lëvizje është pjesë e një reformimi të plotë të politikës së jashtme amerikane që synon të kalojë nga një model “bamirësie ndërkombëtare” në një doktrinë të qartë “Amerika e Para”, ku çdo dollar ndihme duhet të prodhojë efekt të matshëm strategjik për Uashingtonin.

Sipas deklaratës së bërë nga administrata amerikane, fondet nuk do të shpërndahen më sipas logjikës së “nevojës” ose “konjukturës”, por mbi bazën e një kriteri të qartë: kush ndihmon veten, do të ndihmohet edhe nga SHBA.

Kjo epokë e paaftësisë së ligjshme ka marrë fund. Nën Administratën Trump, ndihma e jashtme amerikane do të orientohet drejt interesave kombëtare. Më 1 korrik, USAID do të pushojë zyrtarisht së ekzistuari si zbatues i ndihmës së huaj. Programet që janë në përputhje me politikat e administratës dhe që përforcojnë interesat amerikane do të menaxhohen nga Departamenti i Shtetit, me më shumë llogaridhënie, strategji dhe efikasitet. Nuk do të kërkojmë falje që riafirmojmë se ndihma humanitare dhe promovimi i zhvillimit ekonomik duhet të jenë në funksion të politikës së jashtme “Amerika e Para”.

USAID e shihte si audiencë të vetën Kombet e Bashkuara, OJQ-të ndërkombëtare dhe “komunitetin global”, jo taksapaguesit amerikanë që financonin buxhetin e saj apo presidentin që përfaqësonte interesat e tyre në arenën botërore. Programet e USAID-it u shisnin si bamirësi, jo si instrumente të politikës së jashtme amerikane. Shpesh, këto programe mbështetën ide dhe grupe anti-amerikane – nga axhenda globale “DEI”, te censura, ndërhyrjet për ndryshime regjimesh dhe mbështetje për organizata në linjë me Kinën Komuniste dhe kundërshtarë të tjerë gjeopolitikë”, tha Rubio.

A preket Shqipëria?

Shqipëria ka qenë tradicionalisht përfituese e ndihmave të USAID-it që prej viteve ’90, në fushat e reformave demokratike, drejtësisë, zgjedhjeve dhe zhvillimit rural. Por tashmë, përfitimi i mëtejshëm nga ndihma amerikane do të varet nga gatishmëria dhe aftësia e vetë shtetit shqiptar për të krijuar kushte për investime reale, jo për të kërkuar fonde pa kthim.

Nëse Shqipëria vazhdon të funksionojë me modele të korruptuara, projekte të fryra dhe administrim të dobët, rrezikon të mbetet jashtë hartës së re të partneritetit amerikan. Qasja e re do të përjashtojë vendet që nuk tregojnë efikasitet, transparencë dhe angazhim të sinqertë në bashkëpunim ekonomik.

Ky ndryshim radikal në politikën e ndihmës së huaj është edhe një sinjal për elitën politike shqiptare: Amerika nuk do të financojë më retorikë pro-perëndimore në Tiranë, por vetëm rezultate konkrete në terren.

Mesazhi është i qartë: Epoka e USAID-it ka përfunduar. Partneriteti me SHBA-në nuk do të matet më me fjalë dhe projekte të paqarta, por me investime, tregti dhe ndikim të drejtpërdrejtë strategjik. Shqipëria është përpara një prove të madhe: të përshtatet ose të mbetet në harresë.

Deklarata e plotë e Sekretarit Rubio:

Çdo nëpunës publik ka detyrimin ndaj qytetarëve amerikanë për të garantuar që çdo program që financohet shërben interesave të kombit. Gjatë shqyrtimit të hollësishëm të mijëra programeve dhe mbi 715 miliardë dollarëve shpenzime të rregulluara për inflacion ndër dekada, Administrata Trump konstatoi se Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) binte shumë poshtë këtij standardi.

USAID ka pasur dekada kohë dhe një buxhet pothuajse të pakufizuar nga taksapaguesit për të rritur ndikimin amerikan, për të nxitur zhvillimin ekonomik global dhe për të ndihmuar miliarda njerëz që të bëhen të pavarur. Por përtej krijimit të një kompleksi industrial të OJQ-ve në përmasa globale dhe me kosto për taksapaguesit, USAID ka pak për të treguar që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Objektivat e zhvillimit rrallë janë përmbushur, paqëndrueshmëria shpesh është përkeqësuar dhe ndjenja anti-amerikane është rritur. Shtetet që kanë përfituar më shumë nga bujaria amerikane, rrallë kanë treguar mirënjohje. Vetëm në vitin 2023, vendet e Afrikës Sub-Sahariane votuan në përputhje me SHBA-në në vetëm 29% të rezolutave kyçe në OKB, ndonëse kishin përfituar 165 miliardë dollarë që nga viti 1991. Kjo është përqindja më e ulët në botë. Në të njëjtën periudhë, mbi 89 miliardë dollarë të investuar në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut rezultuan në një perceptim më negativ ndaj SHBA-së se ndaj Kinës, përveçse në Marok.

9.3 miliardë dollarët e shpenzuar në Gaza dhe Bregun Perëndimor që nga viti 1991, përfshirë edhe mbështetje për aleatë të Hamasit, sollën më shumë mllef se mirënjohje ndaj SHBA-së. Ndërsa drejtuesit e OJQ-ve jetonin në luks pesë yje me fondet e taksapaguesve amerikanë, ata që supozohej të ndihmoheshin, mbeteshin pas.

Kjo epokë e paaftësisë së ligjshme ka marrë fund. Nën Administratën Trump, ndihma e jashtme amerikane do të orientohet drejt interesave kombëtare. Më 1 korrik, USAID do të pushojë zyrtarisht së ekzistuari si zbatues i ndihmës së huaj. Programet që janë në përputhje me politikat e administratës dhe që përforcojnë interesat amerikane do të menaxhohen nga Departamenti i Shtetit, me më shumë llogaridhënie, strategji dhe efikasitet.

Nuk do të kërkojmë falje që riafirmojmë se ndihma humanitare dhe promovimi i zhvillimit ekonomik duhet të jenë në funksion të politikës së jashtme “Amerika e Para”.

USAID e shihte si audiencë të vetën Kombet e Bashkuara, OJQ-të ndërkombëtare dhe “komunitetin global”, jo taksapaguesit amerikanë që financonin buxhetin e saj apo presidentin që përfaqësonte interesat e tyre në arenën botërore. Programet e USAID-it u shisnin si bamirësi, jo si instrumente të politikës së jashtme amerikane. Shpesh, këto programe mbështetën ide dhe grupe anti-amerikane, nga axhenda globale “DEI”, te censura, ndërhyrjet për ndryshime regjimesh dhe mbështetje për organizata në linjë me Kinën Komuniste dhe kundërshtarë të tjerë gjeopolitikë.

Që sot, kjo ndryshon. Aty ku më parë kishte një shumëllojshmëri logosh të panjohura mbi ndihmën jetësore, tani do të jetë vetëm një simbol i njohur: flamuri amerikan. Përfituesit meritojnë të dinë që ndihma nuk është lëmoshë anonime, por investim nga populli amerikan.

Po aq e rëndësishme, modeli i ndihmës si bamirësi dështoi sepse udhëheqësit e vendeve në zhvillim u bënë të varur. Hulumtimet e Departamentit të Shtetit tregojnë se popullsia në vendet që më parë merrnin ndihmë nga USAID, kërkon tregti, jo ndihma. Nga Amerika Latine në Afrikë, vendet duan investime që nxisin zhvillim të qëndrueshëm, jo dekada të ndihmës nën menaxhimin patronizues të OKB-së apo USAID-it. Një burrë nga Zambia u tha diplomatëve amerikanë se do të ishte më e dobishme nëse bashkëkombësit e tij do të mësonin të peshkonin, në vend që të u jepej peshk nga qeveria amerikane. Një grua nga Etiopia tha se përfitimet e ndërsjella nga investimet janë më të vlefshme se ndihma e njëanshme.

Amerikanët nuk duhet të paguajnë taksa për të financuar qeveri të dështuara në anë të tjera të globit. Nga tani, ndihma do të jetë e synuar dhe e kufizuar në kohë. Do të përfitojnë vendet që kanë treguar vullnet dhe aftësi për vetëndihmë. Burimet do të drejtohen aty ku mund të sjellin efekte shumfishuese dhe të nxisin investime të qëndrueshme nga sektori privat, përfshirë kompanitë amerikane.

Ky transformim ka nisur. Po arrijmë përparim të madh në detyrimin e OKB-së, aleatëve dhe fondeve private të mbulojnë më shumë pjesë të projekteve. Po unifikojmë fondet e ndara fragmentarisht, po eliminojmë burokracinë për të reaguar më shpejt ndaj krizave dhe po zbatojmë kritere të reja efikasiteti për të matur impaktin me shifra konkrete. Duke fuqizuar diplomatët në terren përmes zyrave rajonale, po krijojmë një mekanizëm të shpejtë reagimi për të siguruar që programet të përputhen me interesat amerikane dhe nevojat e vendeve partnere.

Ky model gjithashtu do të na pozicionojë më mirë për të përballuar modelin shfrytëzues të ndihmës nga Kina dhe për të avancuar interesat tona strategjike në rajonet kyçe të botës.

Ne do të japim përparësi tregtisë mbi ndihmën, mundësisë mbi varësinë dhe investimit mbi bamirësinë. Për amerikanët dhe për shumë të tjerë në botë, 1 korriku shënon fillimin e një epoke të re partneriteti global, paqeje, investimi dhe prosperiteti.

Publikuar nga Publik Media