Skandali i mbeturinave në Orikum dhe ‘spërdhredhjet’ e Dredhës në KPP

Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur një rekord negativ në historinë e procedurave administrative shqiptare: u desh plot një vit për të marrë një vendim përfundimtar mbi tenderin e pastrimit të qytetit të Orikumit. Një procedurë e zvarritur me qëllim nga Bashkia Vlorë, nën drejtimin e Ermal Dredhës, i cili ka shmangur çdo përgjegjësi për sezonin turistik të kaluar mes plehrave dhe tymit të fushës së mbetjeve.

Më 27 qershor 2025, KPP i dha “ok”-in kryebashkiakut Dredha që të vazhdojë me tenderin me referencë REF-16795-08-21-2024, me objekt “Shërbimi i pastrimit të njësisë administrative Orikum”. Një procedurë mbi kufirin e lartë monetar që kap vlerën e 236 milionë lekëve pa TVSH, por që ka kaluar në heshtje ligjore, duke shkelur afate, kritere dhe detyrime ligjore.

Pikërisht më 22 shtator 2024, Ermal Dredha shfaqej në rrugët e Orikumit me thes në dorë për të mbledhur mbeturina, në një shou të organizuar për të mbuluar realitetin skandaloz të mosfunksionimit të shërbimit të pastrimit gjatë gjithë verës. Kjo është taktika që Lali Eri e ka kthyer në metodë: foto me kostum pune, ndërsa pas krahëve, qyteti mbytet në mbeturina dhe tym.

Denoncimi i tenderit erdhi paradoksalisht nga vetë kompania “Silver” SHPK, e cila në të kaluarën kishte fituar kontratën e pastrimit me Dredhën dhe që është përgjegjëse për mbeturinat që nuk u larguan me javë nga rrugët dhe për fushën e plehrave që digjej ditë për ditë në buzë të qytetit.

Në vendimin e 15 tetorit 2024, KPP pranoi pjesërisht ankesën e “Silver” SHPK, në pronësi të biznesmenit Linard Balani – përfitues i 28 milionë lekëve nga buxheti i Bashkisë Vlorë më 2023. U kërkua korrigjimi i përllogaritjeve të kostove dhe heqja e kritereve diskriminuese. Por Bashkia, edhe pas “ndryshimeve”, sipas KPP, nuk i kishte respektuar detyrimet. U desh një vit i tërë korrespondencash, manipulimesh dhe shtirjesh burokratike që Dredha të mos firmoste personalisht kontratën dhe të shmangte përgjegjësinë politike dhe ligjore për dështimin e pastrimit.

Ndërkohë, në terren, banorët e Orikumit jetuan mes plehrave. Vetëm në fund të qershorit 2025, një buldozer i bashkisë nisi të mbulojë me dhe fushën e mbetjeve pranë qytetit – një proces që specialistët e quajnë “kapsulim”, por që në fakt është një lëvizje e vonuar dhe sipërfaqësore.

Prej vitit 2021, Bashkia e Vlorës duhej të kishte kaluar në përdorim landfillin e ri në Sherishtë  një projekt 20.8 milionë euro, financuar nga banka gjermane KfË. Por ky landfill nuk u vu kurrë në funksion sepse kompania “Integrated Technology Services”, fituese e tenderit në bashkëpunim me “Bulfaro Spa”, u sekuestrua nga SPAK më 2021. Kjo kompani ishte në pronësi të Klodian Zotos, tashmë i shpallur në kërkim ndërkombëtar për aferën e inceneratorëve.

Rezultati? Landfilli që duhej të ishte funksional është jashtë loje, ndërsa në Orikum, jo vetëm që mbeturinat nuk u larguan, por përballë vendgrumbullimit të mbyllur po krijohet një tjetër landfill, këtë herë ilegal.

Pamjet e publikuara nga platforma “Gjurmon” tregojnë një situatë alarmante pranë By Pass-it të Vlorës, buzë lumit dhe rrugës nacionale: mbetje urbane, inerte, plastikë e çdo gjë tjetër po hidhen në mënyrë të paligjshme. Një panoramë tronditëse për çdo turist dhe një ndotje e pastër për ambientin dhe shëndetin e qytetarëve.

Kjo është fotografia reale e keqqeverisjes në nivel vendor: tendera të zvarritura, institucione që lajnë duart, kompani të njëjta që denoncojnë për të marrë përsëri miliona, dhe mbi të gjitha  qytetarë të braktisur në mes të plehrave.

Publikuar nga Publik Media