532 MILIARDË LEKË SHITJE, ASNJË TAKSË SHTETIT!

SKANDALI I SHEKULLIT: 20 VJET VJEDHJE NAFTË NGA “BANKERS PETROLEUM”

Në pranga drejtuesit kryesorë,  në kërkim 5 kinezë të kompanisë!

Nga Publik.al

Një nga aferat më të mëdha ekonomike në historinë e Shqipërisë po zbërthehet ditë pas dite. Operacioni i fundit i Prokurorisë së Fierit ndaj kompanisë “Bankers Petroleum” ka ekspozuar një skemë kriminale që përfshin falsifikim bilancesh, mashtrim tatimor dhe pastrim parash, duke shkaktuar miliona euro dëm në buxhetin e shtetit shqiptar.

Çfarë ndodhi?

Pas një hetimi disavjeçar, Prokuroria ka lëshuar 14 masa sigurie, nga të cilat 9 janë ekzekutuar dhe 5 shtetas kinezë – drejtues të kompanisë – janë shpallur në kërkim ndërkombëtar. Mes të arrestuarve janë:

  • Hongping Xiao, drejtori i përgjithshëm i kompanisë
  • Leonidha Çobo, ish-drejtor i Bankers Petroleum
  • Ardit Kero, ish-drejtor financiar i kompanisë (në arrest shtëpie), i njohur edhe si ish-bashkëshorti i moderatores Arbana Osmani.

Çfarë kanë zbuluar hetimet?

Nga viti 2004 deri në 2024, “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka shitur dhe eksportuar naftë në vlerën kolosale të 532 MILIARDË lekëve, por ka deklaruar humbje çdo vit. Kjo i ka lejuar të mos paguajnë asnjë tatim fitimi, ndërkohë që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme rimbursim të TVSH-së.

Sipas Prokurorisë, kompania ka:

  • Rritur fiktivisht shpenzimet për të rezultuar me humbje
  • Falsifikuar dokumente financiare
  • Kryer operacione të dyshimta me kompani dhe individë brenda dhe jashtë Shqipërisë
  • Përdorur skema për të shmangur taksat, me ndihmën e aktorëve të tjerë financiarë e institucionalë

Një histori që nis në 1994 dhe kthehet në krim ekonomik

Në vitin 1994, qeveria shqiptare nënshkroi kontratë me Premier Oil, e cila më vonë u zhvendos në parajsën fiskale të Ishujve Cayman, duke ndryshuar emrin në “Saxon Energy” e më pas “Bankers Petroleum”. Megjithëse vetëm me një ndryshim emri, shteti shqiptar nuk respektoi ligjin për hidrokarburet, duke mos kërkuar bilancet 5-vjeçare dhe përvojën ndërkombëtare të detyrueshme të kompanisë.

Në vitin 2004, në një akt të pastër antikombëtar, Albpetroli mori vetëm 1% të prodhimit të naftës, ndërsa Bankers mori 99%! Ndryshe nga kontrata e mëparshme me Premier Oil që parashikonte 15% për shtetin.

Shifrat e mashtrimit

  • Shitje dhe eksporte (2004–2024): 532,4 miliardë lekë
  • Deklaruar humbje çdo vit
  • Shpenzime fiktive të deklaruara: 11,6 miliardë lekë
  • Dëmi në buxhet për tatim fitimi: miliona euro të paarkëtuara
  • TVSH e përfituar në mënyrë mashtruese: në vlerë të paqartë, por të konsiderueshme

Si u mbulua mashtrimi?

Në vitin 2006, Genc Ruli firmosi një marrëveshje që parashikonte fillimin e pagesës së tatim-fitimit nga viti 2009. Por në vitin 2008, marrëveshja u modifikua në fshehtësi dhe tatimi u shmang. Madje, Bankers ftoi në bord edhe ish-gjeneralin e NATO-s, Wesley Clark, duke ndërtuar një aureolë “të paprekshmërie” mbi aktivitetin e saj.

Qeveria Rama, në vitin 2013, shtoi taksa mbi sektorin, por Bankers i kaloi si kosto operacionale, duke i rikuperuar nga nafta që vetë nxirrte dhe sërish nuk paguante tatim.

Një pasuri kombëtare që u fal, u grabit dhe u hesht

Akti më tronditës i kësaj sage është që asnjë institucion nuk e ndaloi këtë grabitje për 20 vjet. Shteti shqiptar, në vend që ta kthente pasurinë kombëtare në një burim zhvillimi, e shiti me letra false, për një premtim, një buzëqeshje dhe një firmë të turpshme politike.

Edhe në vitin 2016, kur kompania u shit për 575 milionë dollarë te kinezët e Geo-Jade Petroleum, pronarët paditën Shqipërinë në Arbitrazh për 236 milionë dollarë kosto të pambledhura. Arbitrazhi e hodhi poshtë kërkesën, por askush nuk pagoi asgjë.

Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria duhet të pyesë: Kush e lejoi këtë krim? Kush firmosi? Pse heshti tatimorja? Pse u kthyen në palë qeveritë me Bankers Petroleum?

Kjo nuk është më një çështje fiskale. Kjo është një aferë e pasurimit të paligjshëm me bekimin e shtetit!

Dhe kushdo që heshti, firmosi apo mbylli sytë, duhet të shkojë në bankën e të akuzuarve bashkë me drejtuesit e Bankers Petroleum.

Publikuar nga Publik Media