VELIAJ NË BURG, PIRAMIDËS I BIEN PLLAKAT…

15 milionë euro për një fasadë me panine me qofte  dhe dyqanin e vodafone

Nga redaksia e Publik.al

Në një Tiranë që kërkon inovacion, transparencë dhe qeverisje të ndershme, një simbol i së shkuarës u transformua në emër të së ardhmes  por përfundoi si një skenografi mashtruese e realitetit. Piramida, dikur muze i diktatorit, sot është kthyer në një qendër me brande fast-food, reklama kompanish telefonike dhe kafene luksoze. Por ajo që bie më fort në sy, përveç kontrastit të qëllimeve të deklaruara me realitetin e zymtë, është çmimi marramendës i “rijetëzimit” të saj: 15 milionë euro ose 1.73 miliardë lekë.

Rijetëzimi me tendera të rilindur

Fondet për rikonstruksionin e Piramidës janë shpërndarë nga Bashkia e Tiranës, e cila në mënyrë sistematike i ka dhënë punët dy prej firmave më të njohura për marrëdhëniet e privilegjuara me qeverinë: “FUSHA” shpk dhe “EDIL-AL-IT”. Këto dy kompani janë të njëjtat që kanë përfituar kontrata milionëshe për projekte si Sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri apo Unaza e Re. Në çdo rast, mbivlerësimi i punimeve dhe mungesa e kontrollit cilësor kanë qenë temat e përbashkëta.

Në rastin e Piramidës, përveçse është përdorur mermer i shtrenjtë që më pas është zëvendësuar me pllaka majolike, objekti ka pësuar një degradim të dukshëm vetëm 18 muaj pas përfundimit të punimeve. Sipas pamjeve dhe denoncimeve të mbërritura, pllakët po bien, suvatë po çahet, dhe pjesë të fasadës janë kthyer në rrezik për kalimtarët.

Inovacion i zhdukur, paninet me qofte shiten

Në vend të qendrës së inovacionit për të rinjtë që u premtua me krenari nga kryebashkiaku Erion Veliaj – tashmë në burg për abuzime me tendera dhe shpërdorim detyre – Piramida është kthyer në një hapësirë konsumi dhe marketingu korporatash. Branda si Vodafone, One, Red Bull, Lurë, Mon Cheri, KFC, dhe dhjetëra kioskë me panine dhe qofte mbushin hapësirat që në letër do t’u shërbenin startupeve dhe qendrave të programimit.

Ku është “TUMO Center”, qendra që do t’i mësonte të rinjve kodim, dizajn dhe media digjitale? E mbuluar nga tymi i barbekysë dhe tallavaja komerciale e një Tirane që ka harruar premtimet për inovacion.

Rënia e pllakave si metaforë e rënies morale

Të biesh pllakat nuk është më thjesht një metaforë. Në rastin e Piramidës, është një simbol i një qeverisjeje që ndërton për kamerë, por shembet në realitet. Miliona euro u pompua në një godinë me qëllim propagandistik – për të krijuar iluzionin e rilindjes urbane. Por, ashtu si fasada e zbukuruar, edhe e gjithë skema ka nisur të plasaritet.

Ndërkohë që ish-kryebashkiaku Veliaj pret drejtësinë pas hekurave, qytetarët pyesin:

Kush e kontrolloi cilësinë e punimeve? A u certifikuan materialet? Pse u zëvendësuan mermerët me pllaka që nuk rezistojnë as një vit? Kush i përfitoi këto miliona dhe kush do të mbajë përgjegjësi për degradimin e objektit?

Qendra e shpresës, kthyer në qendër shfrytëzimi

Piramida është një projekt që në vend të ringjallte shpirtin krijues të të rinjve, u bë tempull i konsumit të zbrazët. Në një vend ku rinia po ikën, ku arsimi publik është në krizë dhe ku të rinjtë nuk gjejnë hapësira për të zhvilluar aftësitë e tyre, është kriminale që paratë e taksapaguesve të përdoren për të ngritur fasada të brishta dhe për të mbushur hapësira publike me franchise të huaja.

Në fund, ajo që ngel në memorien e qytetarëve nuk është teknologjia që nuk erdhi kurrë, por pllakët që bien, kafja që shitet, dhe politikanët që ikin, por që lënë pas monumente të abuzimit me fondet publike.

Publikuar nga Publik Media