Nga Felix Bikani
Shqipëria e sotme nuk po kalon thjesht një krizë politike, por një degjenerim moral të pashembullt, ku “miti i njeriut të fortë” ka vrarë përfundimisht “mitin e ligjit”. Ne jemi një popull që historikisht kemi kërkuar një zot në tokë për t’i puthur dorën dhe për t’i thurur lavde, duke kaluar nga kulti i Enver Hoxhës te ai i Edi Ramës me një natyrshmëri tmerruese. Ky nënshtrim ndaj shtypjes, dhunës dhe vjedhjes galopante nuk është thjesht fatkeqësi; është një zgjedhje kolektive që na turpëron si komb, i cili në themel ka skllavërinë vullnetare dhe adhurimin e hajdutit.
Këtu, në këtë katundin tonë, teoria e Etienne de La Boétie mbi “Skllavërinë vullnetare” gjen një pasqyrim të pastër: një tiran nuk ka fuqi më shumë sesa i jep vetë populli që ai shtyp. Kur shohim afera që llogariten në miliona e miliona euro, kryesisht nga ministrja Belinda Balluku, dhe projekte rrugësh që kushtojnë dhjetëfishin e Europës, dhe sërish një pjesë e madhe e shqiptarëve brohorasin për “liderin”, ky është një degjenerim shpirtëror ku viktima dashurohet me xhelatin e xhepit të tij. Ne adhurojmë “të fortin” pikërisht sepse ai na vjedh pa i hyrë gjemb në këmbë, dhe kjo mbështetet më pas nga makineria e propagandës, e cila është më e egër se në vitet ’70, ku ajo që e bën këtë situatë edhe më të rëndë është roli i mediave të blera.
Sot propaganda e Ramës ka tejkaluar çdo limit që ka pasur zyra e propagandës e Enver Hoxhës në vitet ’70-’80. Këto media prodhojnë një realitet paralel ku vjedhja quhet “investim” dhe arroganca quhet “lidership”. Ky është një krim kundër së vërtetës, ku shumë gazetarë sillen si shërbëtorë të oborrit, duke mbuluar vjedhjet e qeverisë me kronika zbukuruese. Dhe këtu nuk mbetet më asgjë veç faktit që opozita dhe rezistenca në shesh të bëjnë atë që bëjnë njerëzit e qytetëruar që duan Shqipërinë dhe denoncojnë çdo ditë grabitjet e qeverisë Rama, sepse në këtë periudhë errësire, e vetmja formë qytetarie që ka mbetur është protesta.
Opozita denoncon çdo ditë grabitjet e qeverisë Rama dhe aferat e ministres Balluku, duke u kthyer në të vetmen barrikadë kundër regjimit. Organizimi i protestave është akti i fundit i dinjitetit në një vend ku institucionet kanë rënë. Por këtu shfaqet paradoksi i radhës: trupi diplomatik, i cili përdor diplomacinë për interesat e veta me një standard të dyfishtë. Është e papranueshme të dëgjosh ambasadorë që thonë se opozita po prish imazhin e Shqipërisë sepse proteston me molotov. Ky është një standard i dyfishtë i turpshëm.
Të njëjtat protesta bëhen në Paris, Berlin apo Athinë, ku molotovi është simbol i revoltës popullore kundër padrejtësisë dhe atje askush nuk thotë se po prishet imazhi i shtetit.
Vetëm në Shqipëri këta ambasadorë “shqetësohen”. Pse? A mos ndoshta një pjesë e tyre janë të rreshtuar në borderotë e Ramës? A mos ndoshta kanë interesa biznesi këtu dhe i shërbejnë regjimit me devotshmëri të pashembullt? A mos ndoshta preferojnë qetësinë e një diktature që u shërben interesave të tyre, sesa zhurmën e një populli që kërkon liri?
Dhe pas këtyre reagimeve “diplomatike” vijmë tek morali i kopesë. Pse nuk duam ligj?
Sipas koncepteve të Friedrich Nietzsche mbi “moralin e kopesë”, turmat që tremben nga liria kërkojnë gjithmonë një bari që t’i mbajë nën zgjedhë. Dhe në këtë katundin tonë, shqiptari i sotëm e ka zëvendësuar shtetin ligjor me idhujtarinë politike. Në këtë katundin tonë ne nuk duam ligj, sepse ligji kërkon përgjegjësi; ne duam një “derr” në krye që të talle këdo dhe të na mbajë nën presionin e “partisë-shtet”.
Dhe këtu, në këtë katund, nuk do të ketë kurrë një “mit të ligjit” për sa kohë që vlerësojmë hajdutin dhe propagandën. Një popull që uron ata që e zhveshin lakuriq dhe që lejon ambasadorët t’i tregojnë se si duhet të protestojë kundër vjedhjes, nuk meriton liri. Meritoni pikërisht atë që është: një dorë që ju rreh, një media që ju gënjen dhe një xhep që ju zbrazet çdo ditë me arrogancën e regjimit.







