Denoncimi: Afera ‘Durana’, projekt me pasoja të rënda për Shqipërinë

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

PD: Shkelen ligjet dhe standardet e BE

Deputeti i PD, Eno Bozdo, ka ngritur akuza të forta ndaj projektit të njohur si “Durana”, duke e cilësuar atë një nismë problematike, të paqartë dhe jashtë standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Nga Kryesia e Kuvendit, ai denoncoi mungesën e transparencës dhe tentativat për të kaluar ndryshime ligjore me procedurë të përshpejtuar.

Sipas Bozdos, që prej datës 13 janar ai i është drejtuar me kërkesë zyrtare Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit për të marrë informacion të detajuar mbi kompanitë e regjistruara në mënyrë virtuale në Parkun Teknologjik të Duranës, në Xhafzotaj. Kërkesa përfshinte të dhëna mbi pronësinë e këtyre subjekteve dhe përfitimet fiskale që ato kanë marrë. Megjithëse ligji detyron kthimin e përgjigjes brenda 15 ditësh, deputeti thekson se pas afro tre muajsh nuk ka marrë asnjë reagim nga institucionet.

Ai e konsideron këtë një shkelje të rëndë të detyrimeve ligjore dhe një tregues të mungesës së llogaridhënies nga ana e qeverisë. Ndërkohë, sipas tij, maxhoranca po tenton të miratojë një projektligj të ri që ndryshon në thelb ligjin për parqet teknologjike, pa konsultim publik dhe pa transparencën e nevojshme.

Një nga pikat më të debatueshme, sipas Bozdos, është përfshirja në ligj e konceptit të “regjistrimit virtual”. Ai argumenton se deri më tani kjo praktikë ka qenë e paligjshme dhe, për rrjedhojë, përfitimet fiskale të dhëna për kompani që operojnë vetëm në mënyrë virtuale janë të diskutueshme. Për më tepër, ai thekson se një qasje e tillë bie ndesh me standardet ndërkombëtare të OECD, konkretisht me parimet BEPS, që synojnë të parandalojnë shmangien e taksave.

Sipas tij, legjislacioni i propozuar bie gjithashtu në kundërshtim me praktikat e Bashkimi Evropian për konkurrencën e ndershme dhe ndihmën shtetërore, duke favorizuar në mënyrë të padrejtë kompani të caktuara përmes përjashtimeve fiskale.

Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me mundësinë e marrëveshjeve jo transparente ndërmjet enteve publike dhe kompanive private, përfshirë shitblerjen e aksioneve dhe krijimin e sipërmarrjeve të përbashkëta. Sipas Bozdos, mungesa e procedurave konkurruese dhe publikimit të marrëveshjeve rrit rrezikun e dëmtimit të interesit publik.

Deputeti ndaloi edhe te ideja për përfshirjen e qendrave të të dhënave (datacenter) brenda parkut teknologjik. Ai vlerësoi rëndësinë e këtij sektori, por theksoi se ai kërkon një kuadër të posaçëm ligjor dhe përputhje të plotë me direktivat europiane për energjinë, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Pa këto garanci, sipas tij, ekziston rreziku i mospërputhjes me standardet e BE-së dhe i pengimit të investimeve serioze.

Në përfundim, Bozdo akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për miratim të ligjeve pa konsultim dhe në kundërshtim me detyrimet që rrjedhin nga procesi i integrimit europian. Ai paralajmëroi se këto praktika dëmtojnë seriozisht besueshmërinë e vendit dhe e largojnë Shqipërinë nga rruga drejt anëtarësimit në BE.

DEKLARATA

Në 13 janar të këtij viti, në funksionin tim si deputet, iu drejtova Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit me shkrim, për të marrë informacion mbi kompanitë e rregjistruara virtualisht në Parkun virtual Teknologjik të Durana/Xhafzotaj.

Kërkesa kishte lidhje me emrat e kompanive, pronarët e tyre dhe sa para këto kompani kanë përfituar nga lehtësitë fiskale, dmth nga taksapaguesit shqiptarë, duke u regjistruar virtualisht në Park. Për shkak se nuk mora përgjigje nga ministria, e rikërkova këtë informacion, përsëri me shkrim, në fillim të muajit mars.

Dhënia e këtij informacioni është e detyrueshme brenda 15 ditësh, ndërsa po bëhen tashmë afro 3 muaj dhe ky informacion nuk jepet qëllimisht, në shkelje të rëndë të ligjit për Statusin e Deputetit, të stadardit minimal të llogaridhënies dhe transparencës së detyrueshme të insitucioneve shqiptare.

Gjithsesi, maxhoranca po kërkon të kalojë një projektligj të dytë, i cili amendon thelbësisht ligjin e Parqeve Teknologjike, apo ndryshe Ligjin “Durana”. Ky projekligj, që është sjellë në Kuvend si insiativë e një deputeti të maxhorancës, po ndjek tashmë skemën e njohur të kalimit me shumë shpejtësi, pa trasparencë, pa u konsultuar me publikun, pa relacionet përkatëse.

Së pari, me amendimet e paraqitura, parashikohet faza virtuale e funksionimit të Parkut duke u sanksionuar këtë koncept në ligj. Kjo do të thotë se deri tani, koncepti i “virtualitetit” ka qënë i paligjshëm dhe për këtë arsye lehtësitë fiskale të marra nga kompanitë janë të paligjshme.

Por këtu ngrihet një cështje tjetër me mjaft rëndësi: dhënia e lehtësive fiskale për regjistrim virtual është një praktikë që Bashkimi Evropian e ndalon, madje e lufton nëpërmjet standardit BEPS, të OECD (Base Erosion and Profit Shifting).

Ky standard është i detyrueshëm për zbatim edhe për Shqipërinë. Ky standard lufton pikërisht atë që qeveria po përpiqet të miratojë: dhënien e lehtësive fiskale kompanive që operojnë virtualisht. Sepse cdo lehtësi duhet të jepet për një aktivitet konkret, për punësim real, për një produkt real të zhvilluar dhe për shpenzime të verifikueshme. Pra praktikisht, ky projektligj shkon kundër standardit të detyruar të BE.
Në të njëjtën kohë, kapitulli 16 i Acquis Communautaire përcakton se çdo shtet anëtar (dhe kandidat) duhet të adoptojë parimet e Kodit të Sjelljes BE për Tatimin e Biznesit (EU Code of Conduct for Business Taxation), i cili synon eliminimin e masave tatimore të dëmshme për konkurrencën. Kuadri rregullator për Parkun Durana, minon konkurrencës dhe ofron Ndihmë Shtetërore të palejuar për disa kompani që regjistrohen në mënyrë virtuale dhe përjashtohen totalisht nga tatimet dhe taksat, kundrejt të tjerave që zgjedhin të mos regjistrohen në këtë park!

Së dyti, projektligji hap derën plotësisht për marrëveshje të brendshme të shitblerjes së aksioneve, jo transparente, mes përdoruesve apo zhvilluesit të parkut nga njëra anë dhe enteve publike nga ana tjetër, si dhe krijim të kompanive të përbashkëta, gjë që mund të sjellë lehtësisht situata të dëmtimit të interesave publike në favor të interesave private.

Duhet patjetër që marrëveshjet e shitblerjes së aksioneve apo ato të bashkëpunimit mes enteve publike dhe përdoruesve apo zhvilluesve të parkut, të paraprihen nga një procedurë konkurruese, publike, marrëveshja mes tyre të publikohet, si dhe të mbahen auditime periodike, e rezultatet e tyre sërish të bëhen publike.

Së treti, projektligji parashikon që brenda kufijve të parkut te mundësohet edhe ngritja e “Datacenter”, pra e Qëndrave të të Dhënave.
Këtu duhet të theksojmë se Partia Demokratike e inkurajon fort këtë tipologji biznesi, e ka patur pjesë të programit të saj ekomomik dhe është në favor të lehtësive sa më të mundshme për të tërhequr këtë lloj investimi.

Por nga ana tjetër, për rëndësinë që ka, ky aktivitet në BE është i rregulluar dhe monitoruar me shumë kujdes. Bashkimi Evropian tre akte të rëndësishme ligjore (ka dy direktiva dhe një rregullore) që trajtojnë aspekte të ndryshme të këtij aktiviteti:

a) Direktiva për Efiçencën e Energjisë —EED Directive 2023/1791

Kjo Direktivë është instrumenti kryesor i BE-së për datacentre. Neni 12 i saj detyron të gjithë operatorët e datacentrave me kapacitet mbi 500 KW të raportojnë çdo vit tregues kyç të performancës (KPI) konsumin total të energjisë, konsumin e ujit, përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe nxehtësinë e mbetjes.

b) Direktiva NIS2 e Sigurisë Kibernetike— Cybersecurity Directive 2022/2555

NIS2 klasifikon infrastrukturën dixhitale — duke përfshirë datacentrat — si sektor “thelbësor” i sigurisë kombëtare. Shqipëria, si vend kandidat, është e detyruar ta adoptojë NIS2 si pjesë e Kapitullit 10 (Shoqëria e Informacionit dhe Media) të procesit të anëtarësimit.

c) Rregullorja 2023/2854 dhe Mbrotja e të Dhënave Personale (General Data Protection Regulation) GDPR

Rregullorja rregullon aksesin, përdorimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale të gjeneruara nga pajisjet e lidhura dhe shërbimet cloud — aktivitete thelbësore të datacentrave. Kjo Rregullore imponon kufizime strikte mbi vendndodhjen fizike të të dhënave personale të qytetarëve europianë dhe mbi transfertat ndërkufitare. Mungesa e legjislacionit shqiptar mbi datacentrat e bën të pamundur verifikimin e pajtueshmërisë me këtë rregullore — element kritik për çdo kompani europiane që do të vendosë të dhëna në datacentrat e Duranës.

Prandaj ky aktivitet nuk mund të përfshihet në Park, sepse më parë duhet të rregullohet me një legjislacion të vecantë, duke i dhënë përgjigje të gjitha shqetësimeve.

Përfundimisht, miratimi i ligjeve të tilla, shumë të rëndësishme dhe me shumë ndikim, me shpejtësi marramendëse dhe pa konsultime me publikun, duke mos rekspektuar as detyrimet tona minimale ndaj Bashkimit Evropian në tërma të përafrimit të legjislacionit, vetëm sa vërteton atë që Partia Demokratike ka shprehur si shqetësim thelbësor të tij:

Procesi i integrimit mbetet pa asnjë vlerë dhe pa asnjë kuptim nga veprimet e kësaj maxhorance. Roli i Parlamentit është reduktuar thelbësisht sepse ai nuk kryen më asnjë funksion të rëndësishëm. Qeveria kërkon vetëm miratimin e ligjeve në letër, sa për sy e faqe, për të mashtruar opinionin publik vendas dhe të huaj se Shqipëria është e “gatshme” të hyjë në BE.

Për fat shumë të keq, faktet e përditshme tregojnë të kundërtën. Me anë të kësaj sjelljeje, përspektiva e Shqipërisë në BE po bëhët gjithnjë e më shumë e largët! Përgjegjës për këtë është e një dhe vetëm një personi: e Edi Ramës!
Faleminderit

Publikuar nga Publik Media