Prokuroria e Posaçme ka zbuluar një skemë të dyshuar për transferim fondesh jashtë vendit, përmes një llogarie bankare në Pekin, e cila sipas hetimeve përdorej për të kaluar para nga Shqipëria drejt Kinë.
Sipas Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kjo llogari funksiononte si një zyrë përfaqësimi në emër të Bankers Petroleum Albania Ltd, por në praktikë dyshohet se shërbente si mekanizëm për të zhvendosur kapitalin jashtë vendit duke shmangur detyrimet tatimore.
Të dhënat e mbledhura nga hetimi tregojnë se kjo strukturë në Pekin përdorej për të regjistruar transferta si shpenzime operative të kompanisë, duke fryrë artificialisht kostot dhe duke ulur fitimin e deklaruar. Në këtë mënyrë, sipas SPAK, krijohej mundësia për të shmangur pagesën e tatim-fitimit në Shqipëri.
Transferimet e fondeve nuk mbështeteshin në një plan real financiar apo aktivitet konkret që të justifikonte vlerat e larta të kaluara jashtë vendit.
Nga analizimi i të dhënave kompjuterike të sekuestruara, hetuesit kanë zbuluar edhe një sërë kërkesash të tjera për transferta me të njëjtin model: mungesë transparence, dokumentacion i paplotë dhe qëllime të paqarta financiare. Këto elemente, sipas SPAK, përforcojnë dyshimet për ekzistencën e një skeme të mirëorganizuar për nxjerrjen e kapitalit jashtë Shqipërisë.
Hetimi zbulon gjithashtu se kompania rezulton me humbje për rreth dy dekada, ndërkohë që dyshohet se shpenzimet janë rritur në mënyrë fiktive për të shmangur detyrimet tatimore. Paralelisht, dyshohet se janë përfituar rimbursime të TVSH-së përmes skemave mashtruese, me përfshirjen e individëve dhe subjekteve të ndryshme.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, skema përfshin një sërë praktikash të dyshimta, si:
- bashkëpunim me operatorë dhe individë brenda dhe jashtë vendit;
- manipulim përmes auditimeve financiare;
- përdorim i studieve ligjore dhe konsulencës;
- përfshirje e kompanive të huaja dhe krijim i subjekteve fiktive;
- abuzim me kontratat e qirave të tokës, duke rritur artificialisht vlerat përmes ndërmjetësve dhe transaksioneve të simuluara.
SPAK thekson se të gjitha këto elemente janë pjesë e një hetimi të gjerë, që synon të zbardhë një skemë të mundshme të evazionit fiskal dhe pastrimit të parave në shkallë të gjerë.







