Administrata si inkubator pasurie: nga firmat publike te perandoritë private
Nga Naim Noka
Edhe Daniel Ally që ka themeluar Shkollën e Pasurisë, për të gjithë ata që janë në kërkim të një udhërrëfyesi, do ta kishte zili teorinë allashqiptare.
të pasurimit ku zyra dhe urdhri i Edi Ramës zëvendësojnë tregun.
Këshillat e Daniel Ally se si të bëhemi të pasur duken pa pikë lidhjeje: jo duhet të kesh mendësi prodhuesi, jo duhet të njohësh se sa fiton në ditë nga përpjekjet që bën, jo duhet të jesh i aftë të sakrifikosh gjithçka.
E vetmja pikë ku “pasanikët” e administratës shqiptare takohen është një tjetër realitet: drejtorët e pushtetit e kalojnë kohën e lirë me gjëra të pasurish, duke përdorur asetet publike me një “talent” të vetëm — maksimizimin e fitimit në kohë reale.
Këtu ndahet teoria nga praktika. Në librat e zhvillimit personal, pasuria ndërtohet mbi disiplinë, risk dhe prodhim. Në modelin shqiptar, ajo ndërtohet mbi akses, ndikim dhe vendimmarrje. Nuk kërkohet të prodhosh vlerë — mjafton të kontrollosh vulën që e autorizon atë.
Ky është ndryshimi thelbësor: nga ekonomia e meritës te ekonomia e privilegjit. Në vend që individi të përshtatet me tregun, tregu përshtatet me individin që mban funksion publik. Në këtë konfigurim, çdo këshillë për sipërmarrje bie, sepse loja nuk zhvillohet më në të njëjtën fushë.
Nëse teoria klasike kërkon sakrificë për të arritur kapitalin, teoria “allashqiptare” eliminon nevojën për sakrificë duke zëvendësuar konkurrencën me kontroll. Dhe në këtë pikë, pasuria nuk është më rezultat — është derivat i pushtetit.
Copa Shqipërie jepen bakshish për miqtë e huaj dhe oligarkët që kanë lidhje të drejtpërdrejta me finalen që është kontributi i detyrueshëm me vota për partinë e kryeministrit Edi Rama në çdo palë zgjedhje.
Transformimi i administratës publike nga një strukturë shërbimi në një mekanizëm prodhimi pasurie nuk është më një perceptim, por një model funksional që po riprodhohet në disa nivele të shtetit. Rasti i skemave të denoncuara në diskursin publik nuk përfaqëson një devijim të rastësishëm, por një evolucion të qëllimshëm të mënyrës se si pushteti administrativ konvertohet në kapital privat për një grusht oligarkësh.
Faza e parë ishte primitive: shitja e lejeve të ndërtimit si mall tregu. Një firmë, një vulë dhe një autorizim ktheheshin në 500–600 mijë euro, pa asnjë investim real. Ishte korrupsion linear, i drejtpërdrejtë, me ndërmjetësim minimal.
Faza aktuale është strukturore. Zyrtari nuk shet më lejen dhe nuk “fal” më tokën; ai bëhet vetë zhvillues. Krijon kompani, kontrollon aplikimin, miraton projektin, ndërton dhe në fund shet produktin final. Në këtë cikël të mbyllur, shteti nuk është më arbitër, por aktor. Konflikti i interesit është mekanizëm operimi.
Kjo skemë, e identifikuar në mënyrë të përsëritur në kontekste si dosja “5D”, ka prodhuar një fenomen të ri ekonomik: zyrtarët si konkurrentë të tregut të lirë. Ata nuk përfitojnë më nga biznesi — ata e zëvendësojnë atë. Me akses në informacion, vendimmarrje dhe instrumente ligjore, ata operojnë me avantazh absolut ndaj çdo investitori të pavarur.
Efekti është i shumëfishtë. Së pari, deformohet tregu i pasurive të paluajtshme, ku çmimi nuk reflekton më ofertë-kërkesën, por aksesin në pushtet. Së dyti, eliminohet konkurrenca reale, pasi bizneset tradicionale përballen me aktorë që janë njëkohësisht rregullatorë dhe operatorë. Këta operatorë “ekstra” përthithin edhe fondet kryesore të buxhetit të shtetit. Së treti, është krijuar një klasë e re ekonomike hibride — as biznes, as shtet — që akumulon kapital përmes privilegjit institucional.
Modeli nuk ndalet te ndërtimi. Ai replikohet në sektorë të tjerë, përfshirë shërbimet publike si pastrimi apo infrastruktura lokale, investimet në energjinë diellore, resortet në det dhe në mal, ku sipas denoncimeve publike, drejtues vendorë dhe rrjete familjare hyjnë si aksionerë direkt në kompani që më parë ishin kontraktorë të jashtëm. Ky është kalimi nga korrupsioni përmes ndërmjetësimit, në korrupsion përmes pronësisë.
Në këtë konfigurim, pyetja nuk është më sa e vështirë është të bësh biznes në Shqipëri. Pyetja reale është: kush lejohet të bëjë biznes. Dhe përgjigjja, gjithnjë e më shpesh, nuk lidhet me tregun, por me zyrën që di dhe kanalizon edhe paranë cash të bandave kriminale që operojnë nga jashtë Shqipërisë drejt Europës dhe anasjelltas.
Thënë shkurt: në një dekadë, ekonomia është dominuar nga një formë kapitalizmi ku qytetarët janë të detyruar ose të përballen me çmime më të larta se në Gjermani dhe me shërbime mizerabël, ose të ikin nga sytë këmbët për mbijetësë.







