Si po rindërtohet milicia paramilitare nën maskën e “Ilyrian Guard”

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Raporti alarmant

Në vitet ’90, Berisha licencoi kompani sigurie që u shndërruan në milici të armatosur; sot, Rama dhe Lamallari rekrutojnë ish-policë e ushtarakë në një strukturë pa kontroll parlamentar, Brukseli paralajmëron…

Ka bërë përshtypje një postim në rrjetet sociale i ministrit të Brendshëm, i cili promovonte trendin e rekrutimit të ushtarakëve në lirim, në radhët e korporatës publike të sigurisë “Ilyrian Guard”.

Një kompani publike e krijuar në kohën kur Sandër Lleshi drejtonte ministrinë e Brendshme, që u shoqërua në atë kohë me mjaft polemika politike.

E lënë në harresë për një kohë të gjatë, kjo kompani, pa shumë zhurmë, është sot një nga organizatat më të rëndësishme që disponon persona të armatosur, të angazhuar në ruajtjen e thuajse godinave më të rëndësishme të shtetit.

“Ilyrian Guard” funksionon, jo si një degë e ministrisë së Brendshme direkte, pasi ajo është një kompani publike aksionere, me të drejtat e çdo subjekti ekonomik privat. Ndryshimi i vetëm është se aksioneri kryesor, pronari është shteti, përkatësisht ministri i Brendshëm. I cili ka emëruar një ish-deputet të Partisë Socialiste si Administrator të kësaj organizate.

Lamallari, në një postim të tij, ka promovuar pikërisht punën e administratorit të “Ilyrian Guard” në punësimin në këtë kompani të ushtarakëve dhe policëve në lirim. “Profesionistë me përvojë nga Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura i bashkohen “Illyrian Guard”, forcës që rritet çdo ditë me njerëz të përkushtuar dhe me standarde të larta. “Illyrian Guard” është e hapur për profesionistë që duan të bëjnë diferencën, që besojnë te disiplina, integriteti dhe shërbimi me dinjitet”, shkruan Besfort Lamallari në postimin e tij në rrjetet sociale.

Ku publikohet një video, në të cilën administrator i “Ilyrian Guard”, Florenc Spaho, ish-deputeti i PS-së së qarkut të Elbasanit, pret në zyën e tij disa ish-ushtarakë, të cilët flasin të lumtur për rekrutimin e tyre në këtë strukturë sigurie.

Strukturë, e cila në këshillin mbikqyrës së saj ka 3 zyrtarë të lartë të ministrisë së Brendshme, shefin e kabinetit të ministrit, këshilltarin e ministrit dhe një drejtor të lartë të ministrisë.

Në një shtet, ku kontrolli qeveritar është jashtë çdo reflektori e ku transparenca me publikun është në nivelet më të ulëta, dyshimet marrin udhën e spekulimit.

Pasi kemi të bëjmë me një organizatë të madhe nën kontrollin e ekzekutivit, që ka monopol të emërimeve qoftë në polici, qoftë në kompaninë që kontrollon ministria e Brendshme.

Këto zhvillime kanë rritur dyshimet tek partnerët ndërkombëtar, kryesisht organizatat që monitorojnë agjencitë ligjzbatuese.

Madje në një raport që është dërguar në Bruksel, mësohet se ky zell për të rekrutuar ushtarakë e policë në lirim, të lidhur me mazhorancën në pushtet, është konsideuar edhe një rrezik për krijimin e një “milicie” paramilitare politike.

Një milici, që në Shqipëri nuk është gjë e re, pasi është kontestuar shumë gjatë qeverisjes së Sali Berishës, i cili licencoi disa kompani sigurie, me të punësuar një sërë mbështetësish të tij. Të cilët siç e tregoi koha funksiononin si milici paramilitare e armatosur, që u përdorën në shumë ngjarje e zhvillime dramatike.

Në këtë gjatësi vale po konsiderohet edhe fushata e re e rekrutimit në “Ilyrian Guard”, e cila sipas atyre që e njohin këtë sektor, parashikojnë zhvillime dramatike.

“Një organizatë e armatosur pa një kontroll parlamentar dhe civil, jo vetëm që shton dyshimet, por ngre edhe shqetësime për një aksion ekstra ligjor”, theksohet në një raport që është dërguar në zyrat e Bashkimit Europian. Ku thuhet gjithashtu se edhe Policia e Shtetit që ka 12 mijë efektivë nuk ka arritur të kthehet në një organizatë jashtë ndikimit të politikës së qeverisë./Pamfleti

Publikuar nga Publik Media