Një liber i ri nga
Agron Tufa
Monografia “Letërsia dhe procesi letrar në shekullin XX” synon të përmbushë një njohje sa më përfaqësuese të peizazhit europian e më gjerë në kulturat letrare përgjatë shekullit XX. Në këtë vëllim (sikundër dhe në dy vëllimet e tjera të ardhshme) kemi parashtruar një variant sa më efikas të procesit dhe rrjedhave letrare të shekullit, duke u orientuar nga kriteri i kanonit dhe kodit të traditave letrare, të cilat kanë përcaktuar specifikën e vetëdijes letrare të epokave, të shkrimtarëve dhe të lexuesve, midis normës dhe tabuve në krijimin dhe receptimin e letërsisë.
Evolucioni letrar është një dukuri që reflekton formacionet mbizotëruese të gjendjes shpirtërore të njeriut, vetëdijes dhe ndjeshmërisë së tij në etapa të caktuara të vendit dhe kontekstit ku realizohet një letërsi e dhënë. Madje, në varësi të këtij konteksti (kulturor, historik, psikologjik apo ideologjik), letërsia përpunon mjetet shprehëse duke provokuar formacione të reja stilistike në paraqitjen sa më të gjerë në tektonikën shpirtërore e psikologjike të njeriut.
Raporti i shkrimtarit përballë përvojave artistike pararendëse karakterizohet nga pranimi ose refuzimi i tyre, nga eksperimenti¬mi apo nga velja përgjatë marrëdhënieve me to dhe, në fakt, parë në një plan më të gjerë, raporti i shkrimtarit me traditën dhe përvojën, nën dritën e shpikjeve dhe të zbulimeve, shpie te pranimi, refuzi¬mi apo dhe verifikimi i autoritetit, i peshës që kërkon të homogjeni¬zojë strukturën njerëzore të mendimit, ndjeshmërisë dhe estetikës.Periudhat e entuziazmit dhe të dëshpërimit nga revolucionet, luftërat, ideologjitë, progresi teknologjik dhe mitet e shkencës, kanë sjellë gjithëherë nevojën për një ëndërrim të ri, për utopi të reja, për rezistencë ndaj bjerrjes së cilësive shpirtërore të njeriut dhe njerëzimit në një botë që ndryshon va-zhdimisht orientimin, sistemin e vlerave, etikën dhe idealin e saj estetik.Prandaj dhe letërsia e krijuar përgjatë shekullit XX është në meta¬morfozë të përhershme, herë duke mbrojtur vlerat estetike, human¬iste e tradicionale e herë duke i sulmuar ashpër ato me një patos të pakompromis, në të mirë të zbulimit të mjeteve të reja shprehëse.
Në këtë libër kam synuar të përkap letërsinë mes një bote në ndryshim të vazhdueshëm, si dhe të paraqes disa nga tiparet thelbësore të ligjeve universale, që e udhëheqin krijuesin gjatë krijimit të modeleve midis shqetësimit të tij si pjesëmarrës në përvojat kolektive dhe raportit të thellë të përvojës së brendshme individuale dhe metafizike. Paradig¬mat artistike e letrare të shekullit XX janë parë paralel me formacionet botëkuptimore intelektuale të këtij shekulli, të cilat janë ngjizur në këtë shekull përmes utopish, dilemash e katastrofash kombëtare e ndërkom¬bëtare.
Të paraqesësh letërsinë e shekullit XX sipas një koncepti të përfunduar është punë e pamundur, madje, në thelb, e dyshimtë. Parimet kronologjike, historike apo sociologjike, përveçse nuk e sqarojnë thelbin e procesit, e bëjnë konfuze dhe vulgare një ndërmarrje të tillë. Në librin tonë këtyre aspekteve historiko-sociologjike u kemi lënë një hapësirë “koprace”, por të ndershme, sa për të sqaruar koordinatën e kohës dhe sfondin psiko-social kur zhvillohet personaliteti i shkrimtarit.
Parimisht për mua ka qenë shumë i rëndësishëm formacioni stilistik dhe fizionomia estetike e shkrimtarëve që imponojnë me risitë e tyre një rend të ri vlerash letrare. Letërsia e shekullit XX është një oqean i paskajtë, në të cilin mund ta humbasësh shpejt busullën e orientimit. Prandaj dhe parimi i reprezantimit të peizazhit letrar që kam ndjekur në këtë libër ka synuar të zhdavarisë konfuzionin e pashmangshëm, duke bashkërenduar disa kritere, ndër të cilët, më të rëndësishëm më duken:
a. Kriteri i evolucionit/revolucionit të paradigmave artistiko-a. estetike: modernizmi, avangarda, postmodernizmi, kultura masive.
b. Kriteri i risisë dhe eksperimentit me shqyrtime teorike të b. manifesteve, traktateve dhe doktrinave që proklamojnë shkolla e variante të ndryshme moderniste e postmoderniste.
c. Ilustrimi i platformave teoriko-estetike në krijimtarinë e c. përfaqësuesve tipikë të shkollave/rrymave të ndryshme letrare.
d. Veçoritë dhe specifikat e letërsive kombëtare, nisur nga logjika e d. brendshme kulturore e secilës prej tyre.
Zgjedhja e disa linjave (përplotësuese) që përshkojnë letërsinë e. e shekullit XX-XXI, siç janë “trashëgimtarët e linjës realiste”, “Erosi modernist”, “Utopia/antiutopia në shekullin XX, “mitologjizmi dhe neomitologjizmi”, “romani i ri/antiromani”, “dimensioni i absurdit/absurdizmi” etj., çka lejon një vështrim shtesë, që rrok zhvillimet procesuale letrare, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore.
Vëllimi i parë përfshin dy paradigmat e mëdha letraro-artistike të shekullit XX: modernizmin dhe lëvizjet e avangardës me shkollat, rrymat, drejtimet dhe përfaqësuesit e tyre kryesorë në kulturat e ndryshme nacionale të Europës dhe Amerikës. Kufiri kronologjik i këtyre shqyrtimeve shkon, me përafërsi, deri në Luftën e Dytë Botërore.
Vëllimi i dytë përfshin rrymat, lëvizjet, traditat dhe risitë letrare që u afirmuan pas Luftës së Dytë Botërore deri në dekadën e parë të shekullit XXI. Në këtë vëllim gjejnë vend kryesisht kulturat letrare të ashtuquajtura postmoderniste, letërsia e disidencës dhe rezistencës nën regjimet komuniste totalitare të Europës Qendrore dhe Lindore, utopia dhe antiutopia, neomitologjizmi dhe realizmi magjik, erosi dhe absurdizmi etj.
Vëllimi i tretë do të ketë ngushtësisht një karakter antologjiko-aplikativ. Ai do të përfshijë manifestet e shkollave dhe rrymave më të rëndësishme letraro-artistike të modernizmit, avangardës dhe postmodernizmit; teori formale kritike, punime teorike etj. Një pjesë të madhe të vëllimit të tretë do ta zënë fragmentet funksionale nga poezitë/poemat, romanet, novelat dhe tregimet apo dramat e shkrimtarëve më thelbësorë që janë trajtuar gjatë dy vëllimeve të para dhe që janë pjesë ilustruese për shkrimtarët që studiohen imtësisht në seminaret e kësaj lënde.
Ky libër është nevojë e drejtpërdrejtë e mësimdhënies jo vetëm në auditoret e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tiranës. Ky botim paraqet ndryshime dhe përmirësime thelbësore, duke përditësuar dhe pasuruar disa krerë si nevojë e domosdoshme për disa autorë dhe koncepte, në dritën e studimeve të reja dhe përkthimeve të fundit në shqip të disa autorëve të rëndësishëm.
Megjithatë, qëllimi i përmbledhjes së këtyre leksioneve dhe studimeve në këtë botim përfshin dhe interesat e një leximi të gjerë intelektual, për çdokënd që interesohet për njohjen elitare të letërsisë së shekullit XX-XXI, për autorët e saj më vendimtarë në formimin e shijeve, stileve dhe estetikave të veçanta, si pjesë e domosdoshme e konstruktit estetik e filozofik të njeriut bashkëkohor.