Samiti i NATO-s në Hagë mund të rezultojë të jetë më i rëndësishmi për Aleancën që nga rënia e komunizmit. Falë presionit të presidentit Trump, Aleanca e Atlantikut të Veriut vendosi rritjen e buxhetit për mbrojtjen në 5% të PBB-së, një shifër e përafërt me shpenzimet ushtarake gjatë Luftës së Ftohtë. Një vendim i guximshëm për Aleancën, por i rëndësishëm për Shqipërinë ishte edhe vendimi për mbajtjen në Tiranë të Samitit të vitit 2027. Kryeministri socialist Edi Rama, i cili sapo ka fituar mandatin e tij të katërt – të kontestuar fort nga opozita për blerje votash dhe përdorimin e grupeve kriminale në zgjedhje – mund ta konsiderojë vendimin si një fitore personale.
Shqipëria u anëtarësua në NATO në vitin 2009 me mbështetjen e fortë të SHBA-së, jo pa kundërshtinë e zotit Rama dhe partisë së tij, që në atë kohë ishte në opozitë. Për zotin Rama, më i rëndësishëm se mbajtja e samitit të NATO-s në Shqipëri është ardhja e presidentit Trump në Tiranë. I njohur si një krijesë e George Soros-it, për kryeministrin Rama pritja e presidentit Trump në zyrën e tij jo vetëm që i jep kapital politik, por e amniston edhe përpara armikut të patronit të tij.
Në qershor të vitit 2007, George W. Bush u bë presidenti i parë amerikan në detyrë që vizitonte Shqipërinë. Ajo vizitë rezultoi historike sepse forconte marrëdhëniet midis SHBA-së dhe kombit më pro-amerikan në botë. Në këtë frymë, presidenti Bush, në krah të kryeministrit konservator Sali Berisha, deklaroi se mbështeste anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe se Kosova, herët a vonë, do të bëhej e pavarur – dy aspirata këto të kombit shqiptar. Ndërsa vizita e zotit Trump do të jetë në një kontrast të plotë.
Presidenti Trump do të ulet në të njëjtën karrige ku është ulur më parë ish-agjenti i burgosur i FBI-së, Charles McGonigal, si mik personal i kryeministrit Rama, ndërkohë që kryente “gjuetinë e shtrigave” ndaj presidentit Trump. Ai do të ulet gjithashtu në të njëjtën karrige ku janë ulur dhjetëra herë George dhe Alexander Soros. Në të njëjtën karrige është ulur edhe oligarku rus Oleg Deripaska, i sanksionuar dhe i dënuar nga SHBA, por që në Shqipëri është shpallur nga qeveria e zotit Rama si investitor strategjik. Në të njëjtën zyrë, kryeministri Rama ka pritur edhe një person të përfolur për lidhjet me kartelin Sinaloa, të cilit më vonë qeveria shqiptare i dha një licencë për kazino.
Presidenti Trump do të jetë mysafir i politikanit me jetëgjatësinë më të madhe në pushtet në Europë pas Lukashenkos në Bjellorusi. Një kryeministër që fitoi mandatin e katërt duke pasur në burg apo ndjekje penale tre kryetarët e partive opozitare. Ai rezulton të jetë gjithashtu politikani me më shumë pushtet që nga udhëheqësi komunist Enver Hoxha. Reforma në drejtësi, e financuar kryesisht nga qeveria e SHBA-ve dhe e hartuar nga Fondacioni Soros, i dha atij kontroll absolut mbi drejtësinë, duke e bërë personin që vendos se kush mund të arrestohet e kush jo. Të njëjtin militantizëm partiak në drejtësi që po e përjetojnë liderët e opozitës në Shqipëri, e ka përjetuar edhe zoti Trump vetë. Dhe jo rastësisht, prapa fuqisë së socialistit Rama mbi drejtësinë qëndron vetë Soros.
Shqiptaro-amerikanët votuan masivisht për zotin Trump me shpresën se programi i tij për luftën kundër kulturës “woke”, goditjen e karteleve të drogës, çlirimin e drejtësisë nga militantizmi partiak, do të zbatohej si kërkesë edhe ndaj aleatëve të SHBA-së. 35 vjet më parë, shqiptarët u ngritën kundër regjimit komunist me sytë dhe zemrën nga SHBA. Njësoj si atëherë, edhe sot ata presin që SHBA-të të kërkojnë një Shqipëri ku sundon shteti ligjor, ku nuk burgosen kundërshtarët politikë, ku luftohet krimi dhe korrupsioni. Janë pikërisht këto parime që i mundësuan Shqipërisë anëtarësimin në NATO dhe aleancën me SHBA-të.