A po e saboton Celibashi votën e Diasporës?

A po e saboton Celibashi votën e Diasporës?

Date:

 

Le ta themi që në fillim. Vota e një emigranti i kushton xhepave të taksapaguesve shqiptarë 52 euro. Ndërsa procesi i nisur me bujë e zhurmë tashmë po vishet me hijet e dështimit, pavarësisht çmimit të lartë, plot 13 mil euro që shqiptarët kanë paguar për votën e diasporës.

Në disa dalje publike, Ilirjan Celibashi ka bërë sikur ka sqaruar emigrantët për procesin e votimit të diasporës.
Celibashi me shumë sesa një herë u ka treguar emigrantëve se ata duhet të ndodhen në shtëpi kur postjeri t’u dorëzojë zarfin me votën.
Ka sqaruar se postjeri do tentojë 3 herë të dorëzojë personalisht zarfin përpara se ta dërgojë atë në zyrën postare më të afërt ku emigranti duhet të paraqitet personalisht për të tërhequr zarfin.

Nga shpjegimet me pamje të përgjumur të Celibashit duket sikur emigranti duhet të ngujohet në shtëpi si kur pret zarfin me fletën e votimit ashtu edhe kur duhet të dorëzojë zarfin me votën e plotësuar.
Celibashi ka insistuar të jetë sqarues se pasi plotësohet fleta e votës, duhet marrë në telefon postjeri dhe ai do shkojë në banesë, “sipas një orari” të rënë dakord me votuesin dhe do tërheqë zarfin e kthimit.

Me pak fjalë, Celibashi po orienton se duhet pritur në shtëpi për të pritur postën, (pra duke lënë çdo punë), ose duhen humbur 3 ditë përpara se emigrantit t’i lindë e drejta për të shkuar vetë në postë që të tërheqë zarfin e votimit!
Ky shpjegim është mashtrim!
Celibashi po degradon qëllimisht procesin e votimit të emigrantëve.
Me ritmin “slow motion” të sqarimeve të Celibashit, humben ditë të çmuara në afatin e kufizuar të procesit të votimit nga jashtë.

Pse duhen pritur 3 ditë për të marrë zarfin? Pse Celibashi “urdhëron” pritjen në shtëpi dhe shkuarjen në postë vetëm pas 3 ditëve për të marrë zarfin e votës?
Çdo emigrant njoftohet me mail për ditën e mbërritjes në adresën e banimit të zarfit me fletën e votimit. Kjo do të thotë se që nga ajo ditë, çdo emigrant, (që nuk pret dot në shtëpi), mund të shkojë kur të mundet dhe sa më shpejt në zyrën e postës dhe të tërheqë personalisht zarfin.
Pa humbur 3 ditë!

Pse Celibashi orienton vetëm opsionin e pritjes në shtëpi për dorëzimin e zarfit me votën e plotësuar? Pse insiston që të sqarojë që postjeri duhet marrë në telefon që të vijë të tërheqë zarfin me votën e plotësuar?
Pse Celibashi u heq emigrantëve opsionin e dorëzimit personalisht në postë të zarfeve me fletën e votës së plotësuar?

Sa ditë do humben sërish me stilin Celibashian të pritjes në shtëpi derisa emigranti ta ketë pushim e derisa postjeri të jetë në punë, që të mund të ndodhë dorëzimi i zarfit me votën e plotësuar?
Nëse llogarisim ditët e pushimit, çdo emigrant do humbasë 6-7 ditë për të rindërguar mbrapsht zarfin me fletën e votës së plotësuar.

Sot Taulant Balla doli dhe shpjegoi rastin e 2 emigrantëve shqiptarë që paskëshin shkuar vetë tek zyrat e DHL. Kanë tërhequr postën, kanë plotësuar fletën e votimit dhe kanë dorëzuar sërish zarfin e mbyllur. E gjitha brenda ditës! Brenda 1 ore!

Pse po dezinformon Celibashi prej 10 ditësh, duke manipuluar me gjasme kushtet e kontratës së lidhur me operatorët postarë?
Votimi i emigrantëve ka rezultuar një proces shumë i kushtueshëm. Dhe kjo edhe për shkak të shijeve të shtrenjta të Celibashit.
Kush do paguajë dëmin që po i shkaktohet procesit për shkak se paratë e paguara që zarfi i votës të shkojë e të vijë sërish, po rrezikojnë të jenë shpenzuar më kot?

Me ritmet e votimit të Celibashit rrezikohet që një përqindje shumë e lartë e zarfeve të mos mund të mbërrijnë në kohë. Pra, të mos numërohen si vota.

A do llogaritet shuma e atyre zarfeve që nuk do mbërrijnë në kohë si dëm i shkaktuar qëllimisht nga Celibashi?/VNA

Publikuar nga Publik Media