A po gjallërohen “Të Fortët” dhe grupet kriminale në prag të zgjedhjeve për të ndihmuar Ramën për herë të fundit?

Naim Noka

Ndërsa Shqipëria afrohet drejt një tjetër procesi zgjedhor, krerët e bandave po shfaqen përsëri në horizont. Rikthimi i elementëve kriminalë dhe bandave të lidhura me pushtetin  po ndodh për të ndikuar rezultatin.

Elbasani, qyteti ku pushteti dhe krimi ecin krah për krah

Kjo nuk është një risi në politikën shqiptare. Historia e dy dekadave të fundit ka treguar se sa herë zgjedhjet afrohen, “të fortët” dalin nga hije e harresës për të luajtur një rol që, fatkeqësisht, ka qenë shpesh vendimtar. Pyetja është: a po ndodh sërish kjo skemë në prag të zgjedhjeve të ardhshme, dhe a po i përdor Edi Rama për herë të fundit këto grupe për të mbajtur pushtetin?

Skema e njohur: Frikësimi, blenja e votave dhe kontrolli i territorit

Mekanizmat përmes të cilëve bandat kriminale kanë ndikuar në zgjedhje janë të mirëdokumentuara nga raportet ndërkombëtare dhe hetimet e pavarura. Ato përfshijnë blerjen masive të votave, intimidimin e zgjedhësve, shantazhin ndaj biznesit dhe, në raste më ekstreme, përdorimin e dhunës për të siguruar epërsinë e partisë në pushtet. Kjo skemë është parë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale, ku përfshirja e individëve me rekorde kriminale u bë një nga pikat më të errëta të procesit.

Safet Bajri reagon në Top Story, mohon konfliktin me fisin Lici dhe përfshirjen në masakrën e Dobraçit

Sot, sinjalet janë të qarta: në disa qytete, emra të njohur të botës së krimit kanë filluar të shfaqen më shpesh deri dhe në emisione mediash  me sinjal kombëtar , qoftë në forma diskrete si takime me eksponentë politikë, qoftë përmes aktivitetit të drejtpërdrejtë në terren. Apo dhënia e lejeve të ndërtimit dhe resorteve apo objekte tregëtare. Paralelisht, rastet e dhunës dhe frikësimit po shtohen, duke paralajmëruar një fushatë që mund të jetë një nga më të errëtat në historinë e tranzicionit shqiptar. Intimidimi i atyre pak zërave kritikë në median shqiptare nga bandat dhe të fortët e bandave ndoshta është me evident se kurrë më parë. Plani i SPAK dhe Prokurorit të Përgjithshëm për të kontrolluar fushatën ndoshta mund të jetë një ide e mirë por kush do ta realizojë? Frika që shprehu Rama sot se patronazhistë dhe funksionare të PS  po survejohen nga OPGJ të prokurorisë dhe SPAK, tregon se po prishet pak ingranazhi kriminal i votës.  Prej 12 vitesh strukturat paralele te patronazhistëve me përkrahjen e  të fortëve  dhe me ndihmën e pushtetit kanë blerë qindra mijëra vota pa u shqetësuar fare. A do të funksionojë sistemi i blerjes masive të votave?! U jap një shembull me burime të sigurta: Në zgjedhjet lokale në Kukës 4000 vota me 100 euro vota, ishin kaparosur 4 ditë para zgjedhjeve. A do mundet prokuroria të ndihmojë që të minimizojë sistemin e blerjes së votës? E vështirë por jo e pamundur! Nuk është e vështirë të identifikohen të fortët dhe personat që kontrollojnë blerjen në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër e në të gjithë vendin.

Pse “për herë të fundit” për Ramën?

Edi Rama ka ndërtuar një sistem të fuqishëm klientelist, i cili është mbështetur jo vetëm te kontrolli i shtetit, por edhe te marrëdhëniet e tij me segmente kriminale që kanë përfituar nga ky regjim. Por ky sistem ka filluar të çedojë.

Së pari, perceptimi publik për qeverisjen e tij ka ndryshuar ndjeshëm. Skandalet e njëpasnjëshme, nga koncesionet korruptive te keqmenaxhimi i fondeve publike dhe skandalet me ndërkombëtarët, kanë zbehur ndjeshëm kredibilitetin e tij. Së dyti, faktorët ndërkombëtarë, sidomos SHBA  pas fitores së Trump, janë bërë më të vëmendshëm ndaj kapjes së shtetit nga krimi. Sanksionet ndaj disa figurave të lidhura me qeverinë janë vetëm një sinjal i qartë se koha e këtij modeli qeverisës po i afrohet fundit.

Në këtë kontekst, këto zgjedhje mund të jenë për Ramën një betejë e fundit, një përpjekje e dëshpëruar për të mbajtur pushtetin me çdo kusht. Dhe kur një regjim ndodhet në prag të rënies, përdorimi i mjeteve të fundit – përfshirë edhe bandat kriminale – është pothuajse i pashmangshëm.

A do të lejohet kjo?

Përgjigja qëndron tek qytetarët dhe institucionet. Nëse shqiptarët që e duan këtë vend, mediat dhe opozita janë të gatshme të dokumentojnë dhe denoncojnë çdo përpjekje për manipulim, atëherë presioni publik mund të bëjë diferencën. Nëse partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë investuar shumë në stabilitetin demokratik të Shqipërisë, veprojnë në kohë, atëherë kostoja për Ramën dhe për çdo eksponent që do të përfshihet në këto skema mund të jetë e lartë.

Por nëse heshtja dhe frika mbizotërojnë, atëherë historia mund të përsëritet. Dhe nëse ndodh kështu, atëherë Shqipëria nuk do të jetë më një demokraci në krizë, por një shtet i kapur përfundimisht nga krimi.

Këto zgjedhje nuk janë thjesht për pushtetin e një partie, por për të ardhmen e një vendi. Dhe është koha që qytetarët ta kuptojnë këtë më mirë se kurrë.

Publikuar nga Publik Media