A po e shkrin SPAK-un Edi Rama?

Naim Noka

Kur  supermaxhoranca e korruptuar  shkruan rregullat për drejtësinë, ajo kthehet në teatër.

Pak ditë pas zgjedhjeve, pa u shuar  jehona e premtimeve për “shtet të fortë” dhe “drejtësi pa dallime”  medemek Rama e kishte dorëzuar “Shpatën e drejtësisë” që mbante në zyrën  kryeministrore, Ulsi Manja thirri në raport Altin Dumanin me një “paketë rekomandimesh” për drejtësinë.

Në vend që të duartrokitej si një hap drejt përmirësimit të sistemit, kjo paketë erdhi si një kërcënim i koduar ndaj SPAK-ut me  një mesazh të qartë: “Erdhi koha të ulni kokën.”

I njëti Edi Rama që pak muaj më parë kërcënonte publikisht SPAK-un që “të mos guxonte” t’i merrte telefonin kryeministrit. Dhe sot, po kjo qeveri kërkon që të hartojë “strategji të përbashkëta”, të “bashkëpunojë për politikat penale”, të “koordinojë institucionet” dhe të “forcojë transparencën” e SPAK-ut. Po çfarë do të thotë kjo në gjuhë të thjeshtë? Do të thotë kontroll. Nën petkun e reformës, kërkohet kapja.

Ky nuk është një plan për forcimin e shtetit ligjor. Është një plan për frenimin e drejtësisë që ka nisur t’i afrohet rrezikshëm kupolës së pushtetit.

Janë të njëjtët që ndërtuan fushata me fytyrat e kampionëve të korrupsionit, që sot janë nën hetim ose në burg, që po i shkruajnë SPAK-ut “rregullat e lojës”. Si të mos ishte mjaftueshëm groteske, këto rregulla vijnë nga emra si Ulsi Manja, figurë kyçe e dosjes 184′ pikërisht ajo që simbolizon manipulimin e drejtësisë për interesa elektorale.

Në vend që të jepnin llogari për 5D-të, inceneratorët, koncesionet, Rrugën e Arbrit, pastrimin e parave me PPP-të dhe kanabizimin masiv të vendit, ata tani japin direktiva për të hetuar me “kujdes”, për të zbatuar “masa sigurie të balancuara”, për të shmangur “zvarritjet pa arsye”. Nëse kjo nuk është cinizëm institucional, atëherë çfarë është sipas Ulsiut?

Drejtësia e vërtetë është shqetësim vetëm kur prek të paprekshmit. Sepse për herë të parë, me gjithë të metat, SPAK-u po përpiqej të bëjë pak punë, të kapë disa peshq që deri dje notonin lirshëm në llumin e pushtetit dhe pandëshkueshmërisë.

Pas supermandateve  erdhi dhe përgjigjja e qeverisë? Krijimi i një “arkitekture të re” kontrolli, bashkëpunimi dhe transparence, që në thelb është një mënyrë e sofistikuar për ta kthyer SPAK-un në një zyrë të pajtueshme me të fortët.

Në këtë fazë, pyetja nuk është më a do të ketë drejtësi, por  a do të lejohet drejtësia të ekzistojë?

Sepse nëse ata që janë nën hetim, ata që janë në konflikt interesi të pastër, fillojnë të imponojnë standarde dhe kritere mbi organin që i heton, atëherë nuk kemi më shtet ligjor por  kemi një regjim të kodifikuar, një “demokraturë” ku drejtësia vishet me toga të zeza, por ecën me leje nga qeveria.

Në fakt e vërteta e hidhur  është pyetja troç:  Kur do ta shkrijë Rama  SPAK-un?
Jo me ligje të hapura, por me nene të fshehura. Jo me kritika publike, por me shtrëngim grushti institucional. Nëse kjo kalon pa reagim, atëherë nuk do të shohim më drejtësi të barabartë, por një sistem të qullur, të trembur, të përkulur, një SPAK të kthyer në një lodër të  një njeriu të vetëm me emrin Edi Rama.

Në këtë betejë, nuk janë në rrezik vetëm disa prokurorë, por vetë ideja se Shqipëria mund të ketë një drejtësi që nuk pyet për pushtet, për parti, për emër apo për lidhje.

Dhe nëse kjo shpresë shuhet, atëherë kemi humbur të gjithë.

Publikuar nga Publik Media