Administratori i inceneratorit të Fierit, ekstradohet në Shqipëri

Loran Dusha u arrestua në Zimbabve

Administratori i “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, 42-vjeçari Loran Dusha, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është ekstraduar, pas arrestimit në Zimbabve, shtet në Afrikën Jugore.

Dusha ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi GJKKO, në vitin 2022, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimet ka rezultuar se në cilësinë e administratorit të një kompanie private, ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme, përmes faturave dhe pagesave fiktive, për punë dhe shërbime të pakryera.

Pasi u ekstradua në Shqipëri, 42-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka dhënë vendimin për Lefter Kokën, Alqi Bllakon dhe 13 të pandehurit e tjerë, të cilët akuzohen për aferën e inceneratorit të Fierit, duke i dënuar në atë dosje, mes tyre edhe Dusha, të cilit iu dhanë 7 vite burg, por me gjykim të shkurtuar u konvertua në 4 vite e 8 muaj. Gjyqi ndaj tij u bë në mungesë, teksa Apeli i GJKKO më pas e riktheu çështjen për rigjykim dhe ende është në proces.

Sipas akuzave të SPAK për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.

“Pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Harare, u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe ekstradimi nga Zimbabve, shtet në Afrikën Jugore, i shtetasit shqiptar42 vjeç, lindur në Lushnjë. 42-vjeçari Loran Dusha ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në vitin 2022, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim. Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas, në cilësinë e administratorit të një kompanie private, ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme, përmes faturave dhe pagesave fiktive, për punë dhe shërbime të pakryera. Pas mbërritjes në Shqipëri, 42-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve” njoftoi policia.

Publikuar nga Publik Media