Punonjësi 31-vjeçar, Igli Gjoca humbi jetën
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Sarandën, ku një i ri ka humbur jetën gjatë punës në një nga lokalet më të njohura të zonës.
Viktima është identifikuar si Igli Gjoca, rreth 31 vjeç, i cili dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike ndërsa po kryente punime saldimi në ambientet e Orange Club. Sipas të dhënave paraprake, ai ishte punësuar në mënyrë të paligjshme.
I riu, me origjinë nga zona e Bajkajt, ishte i martuar dhe priste të bëhej baba për herë të parë, por humbi jetën tragjikisht në vendin e punës.
Pas ngjarjes, policia ka arrestuar administratorin e lokalit, Ermal Fataj, 40 vjeç, i cili akuzohet për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “punësim të paligjshëm”.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet paraprake tregojnë se shkaku i vdekjes dyshohet të jetë goditja nga energjia elektrike gjatë punës. Autoritetet vijojnë verifikimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Ngjarja rikthen në vëmendje problemet e sigurisë në këtë subjekt. Në vitin 2023, në të njëjtin ambient humbi jetën edhe një tjetër punonjës, 17-vjeçari Antonio Delilaj, i cili u aksidentua fatalisht pasi u këput një kabëll i ashensorit ku ndodhej.
Rasti i fundit ngre sërish pikëpyetje mbi standardet e sigurisë në vendin e punës dhe përgjegjësitë e subjekteve private për mbrojtjen e jetës së punonjësve.







