Av Arben Llangozi
NGA NJË QEVERI QË VETËM PROPAGANDË DI TË BËJË
Sot Edi Rama, me pompozitetin e zakonshëm, inaguroi të ashtuquajturin “aeroport ndërkombëtar” të Vlorës. Me fjali të mëdha, me pamje nga dronët dhe me slogane të zbrazëta, ai po e shet këtë si një arritje historike për Shqipërinë.
Por për kë është kjo arritje? Për qytetarët që paguajnë taksa apo për klientelën që fërkon duart?
Kujtojmë që vetëm disa vite më parë, me të njëjtin spektakël mediatik, u inagurua Aeroporti i Kukësit. Sot, ky aeroport është jashtë funksionit, i braktisur, dhe, sipas burimeve që kemi, është shndërruar në një fushë me impiant fotovoltaik.
Pra, një investim me miliona euro nga taksat tona është kthyer në një rrënim të heshtur. A pati ndonjë përgjegjës? Jo. A ka ndonjë hetim? Aspak. Vetëm heshtje dhe një tjetër shfaqje.
Tani e njëjta skemë po përsëritet në Vlorë. Një projekt që ende nuk ka dëshmuar asgjë, inaugurohet si “arritje kombëtare”.
Por të gjitha sinjalet janë të njëjta: mungesë transparence, mungesë llogaridhënieje, mungesë plane afatgjata dhe mbi të gjitha keqpërdorim brutal i fondeve publike për fushatë elektorale.
Edi Rama nuk ndërton aeroporte që të fluturojnë qytetarët, por ndërton fasada për të ngritur vetveten në sondazhe. Këto projekte nuk janë zhvillim, janë propagandë e pastër, e ngritur mbi gënjeshtra dhe iluzione.
Pyesim publikisht:
Sa para janë harxhuar deri më sot për këto dy aeroporte?
Pse aeroporti i Kukësit dështoi në më pak se 3 vite?
A do të ndodhë e njëjta gjë me aeroportin e Vlorës?
Kush përfiton realisht nga këto projekte?
A është ky aeroport thjesht një fasadë për fushatë, një tjetër “mrekulli” që do harrohet sapo të mbyllet kutia e votimit?
Shqiptarët janë lodhur nga gënjeshtrat, nga kartonët e prerë në formë vizioni dhe nga pushteti që vishet me dritat e kamerave, por nuk sjell kurrë asnjë përmirësim real në jetën e qytetarëve.
Nuk duam më aeroporte fantazmë, duam udhëtime reale drejt zhvillimit, me udhëheqës që flasin me punë, jo me slogane.