60 Milionë Euro nga xhepat e qytetarëve, për xhepat e të zakonshmëve
Në listën e gjatë të aferave që kanë tronditur Shqipërinë në këto 34 vite tranzicion, çështja e inceneratorëve është kthyer në simbolin më të dukshëm të kapjes së shtetit, korrupsionit institucional dhe zhvatjes së qytetarëve. Por brenda kësaj skeme kriminale, ka një nëntregues më pak të diskutuar publikisht: afera e dherave, që ka sjellë një kosto marramendëse prej rreth 60 milionë euro, të përballuar nga taksapaguesit dhe bizneset ndërtuese të Tiranës.
Në dokumentet që ndodhen aktualisht në dosjen e inceneratorit të Tiranës, dhe që janë nën hetim nga prokurori Dritan Prençi, zbulohet një kontratë e nënshkruar më 15 tetor 2018 nga kompania “Integrated Energy BV SPV sh.p.k.”, e njohur sot si “Geogenix”. Kjo kompani, që fshehu aksionarët realë si Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, u paraqit në fillim me emrin e një brandi ndërkombëtar si “Paul Wurth”, për të fituar kredibilitetin e nevojshëm në sytë e shtetit shqiptar.
Kontrata fantazmë për inceneratorin që nuk ekziston
Kontrata përfshinte ndërtimin e një inceneratori dhe një landfilli në Sharrë. Inceneratori, siç dihet publikisht, nuk ekziston as sot, ndërsa landfilli i vetëm në funksion është në gjendje alarmante. Por ajo që e bën këtë kontratë edhe më kriminale është mënyra se si janë futur në lojë dherat: mbetje inerte, të cilat zakonisht riciklohen në vetë procesin ndërtimor, u shndërruan në një objekt taksimi dhe abuzimi masiv.
Si u shpik taksa e dherave
Në marrëveshje të dyshimta me zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, si Evisjon Salku dhe Taulant Tusha, u firmosën dokumente që nuk përputhen me asnjë standard ligjor. Ata, pa qenë autoriteti kontraktor, lëshuan kontrata dhe vendime në emër të bashkisë, duke përdorur vulën zyrtare jashtë çdo kompetence.
Shpikja ishte brilante në absurditetin e saj: ndërtuesit nuk mund të përdornin dherat nga një kantier në një tjetër, për qëllime sistemimi ose riciklimi, por me detyrim duhej t’i çonin në landfillin e Sharrës. Aty paguanin rreth 400 lekë/m³ për hedhjen e tyre – ndërsa nëse donin t’i përdornin sërish, i blinin për 8-12 euro/m³ nga e njëjta kompani. Një proces i përsosur zhvatjeje: qytetari paguan për t’i hedhur, pastaj paguan për t’i marrë.
Riciklimi i ndaluar për të garantuar fitime të dyfishta
Në mënyrë të qëllimshme, kontrata përjashtonte mundësinë e riciklimit të dherave brenda vetë sektorit të ndërtimit. Në vend që kompania ndërtuese t’i kalonte dherat nga një objekt në tjetrin, duhej t’i hidhte në Sharrë, t’i paguante, dhe pastaj t’i blinte sërish. Një skemë që i garantonte Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit një fitim të dyfishtë – pa krijuar asgjë reale, përveç faturës.
60 milionë euro të zhdukur në “dhe”
Llogaritjet e ekspertëve flasin për një kosto totale prej rreth 60 milionë euro, që përfshijnë transportin, depozitimin dhe rikthimin e dherave nga ndërtuesit e kryeqytetit. Prej tyre, rreth 10 milionë euro në vit paguhen nga buxheti i shtetit përmes transfertave nga Bashkia e Tiranës, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga qytetarët përmes kostove të fryra të ndërtimit.
Për shembull, një ndërtues që më parë e përballonte koston e dheut për vetëm 3-5 euro për m², sot e paguan 12-15 euro për m² – një kosto që kalon direkt në çmimin e apartamentit për qytetarin. Pra, të gjitha rrugët çojnë në një vend: xhepat e shqiptarëve.
Një krim me vulë dhe firmë – por pa përgjegjësi
Skema e dherave nuk është një thjesht gabim teknik. Është një manovër e pastër kriminale e ndërtuar mbi falsifikim dokumentesh, uzurpim kompetencash dhe zhvatje të organizuar. Firmëtarët dhe përfituesit janë të njëjtët që SPAK ende po i lë në pritje: Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, dhe rrjeti i bashkëpunëtorëve në institucione.
Por kjo aferë nuk mund të mbyllet me një hetim që ndalet tek 2-3 zyrtarë të vegjël. Skema e dherave është pjesë integrale e një grupi të strukturuar kriminal, dhe çështja duhet të hetohet si e tillë – jo si incident administrativ.
Mos u ndalni tek letrat dhe firmat. Ndiqni paratë. Ndiqni zinxhirin e vendimeve. Ndiqni zyrtarët që nënshkruan për interesa të paligjshme. Sepse çdo metër kub dhé në Tiranë është një euro më pak në tryezën e një familjeje shqiptare. Të vërtetat nuk groposen dot me dhe!