Agron Shehaj në zi, humb njeriun e tij më të dashur

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare Siri Shehaj, babai i kryetarit të Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj. Ai kishte kaluar kohët e fundit një sëmundje të rëndë dhe u shua në Itali, pranë familjarëve të tij.

Lajmi u bë i ditur mbrëmjen e djeshme, kur Agron Shehaj mungoi në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku ishte i ftuar. Moderatori Ylli Rakipi sqaroi se kreu i Partisë “Mundësia” nuk mund të ishte i pranishëm për shkak të një fatkeqësie familjare të ndodhur.

Siri Shehaj u nda nga jeta në Itali, ku prej vitesh jetonte së bashku me familjen. Agron Shehaj ka folur publikisht për figurën e të atit në një nga konventat e Partisë “Mundësia”, duke e cilësuar atë si frymëzim dhe udhërrëfyes në jetën e tij personale dhe politike.

“Edhe unë kam pasur një hero, një njeri që më ka mësuar dhe më ka frymëzuar të mos dorëzohem kurrë. Ky njeri është babai im. Më kujtohet qartë mprehtësia e mendimit të tij, intuita dhe aftësia për të parë përtej asaj që dukej në sipërfaqe. Nga ai mësova të shoh gjërat ndryshe, të mendoj ndryshe. Mësova një të vërtetë të madhe: me punë dhe këmbëngulje, asgjë nuk është e pamundur”, është shprehur Shehaj në konventën e prillit 2025, kur i ati ishte ende në jetë.

Historia e familjes Shehaj lidhet ngushtë me persekutimin politik gjatë diktaturës. Gjyshi i Agron Shehajt ndërroi jetë në burgun famëkeq të Burrelit si i burgosur politik, duke lënë Siri Shehajn jetim në moshë fare të vogël. Ai u rrit në Vlorë, ku edhe krijoi familjen e tij.

Në mars të vitit 1991, Siri Shehaj u largua nga Shqipëria së bashku me Agronin e vogël, në një nga eksodet dramatike drejt Italisë, me anije nga Himara. Fotografia e Agron Shehajt fëmijë nga ajo periudhë ka bërë xhiron e mediave ndër vite. Që prej asaj kohe, lidhjet e Siri Shehajt me Shqipërinë kanë qenë të herëpashershme.

Publikuar nga Publik Media