Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i ftuar në emisionin “Now” me gazetaren Erla Mëhilli, deklaroi se opozita ka mundësi reale për të fituar zgjedhjet lokale në Tiranë.
Sipas tij, kandidatja e propozuar nga socialistët është e dobët dhe nuk gëzon respektin e qytetarëve.
I pyetur nëse ka ndonjë emër konkret për kandidaturën, Shehaj u shpreh se ende nuk ka tratativa, por kandidati duhet të jetë një figurë që respektohet gjerësisht, jo thjesht një përfaqësues i PD-së apo i Partisë Mundësia.
“Ne si opozitë duhet të kuptojmë, se kemi mundësi të fitojmë pasi kandidati i Partisë Socialiste është shumë i dobët, është një ndër më të urryerit, ka qenë në institucione ku ka pasur korrupsion si në Ministrinë e Shëndetësisë.
Duhet një kandidat i pavarur, jo i PD-së, jo i Mundësisë, një kandidat i qytetit të Tiranës që gëzon respekt.
Nuk ka tratativa, nuk kemi lajme për kandidatin, unë kam bërë një propozim”, tha Shehaj.







