Një aksident tragjik është regjistruar në Fier-shegan të Lushnjës, ku ka humbur jetën 35-vjeçari Klevis Gjoni.
Sipas të dhënave paraprake, i riu ishte duke drejtuar një motoçikletë kur është përplasur me një automjet tip “Caddy”. Dyshohet se mjeti po kryente një manovër për t’u kthyer në anën tjetër të rrugës, me qëllim hyrjen në një banesë, ndërsa motoçikleta po tentonte parakalimin në të njëjtën korsi. Si pasojë e përplasjes, 35-vjeçari ka marrë plagë të rënda.
Menjëherë pas aksidentit, Klevis Gjoni u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra, pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po punojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Burime paraprake bëjnë me dije se shkak i dyshuar i ngjarjes mund të ketë qenë manovra e parakalimit nga drejtuesi i motoçikletës, në momentin kur automjeti tjetër po kthehej në krahun tjetër të rrugës. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, 61-vjeçari me inicialet M. P., është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe dinamikës së aksidentit.







