Aksion kundër kanabisit, Policia e Shkodrës asgjëson mbi 1,500 bimë narkotike

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinata”, shërbimet e Policisë Shkodër kanë asgjësuar mbi 1,500 bimë të dyshuara narkotike, duke përfshirë 1288 fidanë dhe 479 bimë cannabis sativa.Operacioni, i fokusuar në parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, ka përfshirë kontrolle intensive në territorin e qarkut Shkodër, ku janë realizuar goditje të suksesshme në njësitë administrative Shllak dhe Pult. Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të përfshirë në këto raste.

Njoftimi i policisë:

Qarku Shkodër/Vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj kanë gjetur të kultivuara dhe kanë asgjësuar 1288 fidanë dhe 479 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën në territorin e njësisë administrative Shllak dhe asgjësuan 1011 fidanë dhe 479 bimë cannabisi.

-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën në territorin e njësisë administrative Pult dhe asgjësuan 277 fidanë narkotikë cannabis sativa.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të këtyre rasteve të kultivimit.

Operacioni antikanabis i koduar  “Koordinata”, vijon.

Publikuar nga Publik Media