Aksioni i Ramës kundër zaptuesve dështon te restoranti i Maznikut

“Tokë e xanun” për miqtë e pushtetit

Me urdhër të Kryeministrit Edi Rama, në të gjithë vendin ka nisur një aksion kombëtar për lirimin e hapësirave publike të zaptuara padrejtësisht nga biznese apo individë. “S’ka më tokë të zënë. Hiqini vetë trarët, mblidhni plaçkat dhe lironi hapësirat e përbashkëta mes pallateve,” paralajmëroi Rama në një video live, duke kërcënuar me gjoba dhe ndjekje penale.

Por ndërsa fjalët ishin të forta, veprimi tregoi të kundërtën. Aksioni ka filluar të shfaqë shenjat e dështimit që në orët e para. Në një rast konkret të denoncuar për “JOQ”, një grup i “Taks Forcës” zbarkoi paraditen e 6 korrikut në zonën e Pazarit të Ri, Tiranë, për të liruar hapësirat e zëna. Por, vetëm pesë minuta pasi ata u larguan, lokalet nisën sërish të vendosin tendat, tavolinat dhe karriget në trotuar, duke vazhduar zaptimin pa u shqetësuar aspak.

Lokali kryesor në fjalë është denoncuar në media si i lidhur me bashkëshorten e ministrit për Qeverisjen Vendore, Arbjan Mazniku. Qytetarët raportuan se pikërisht ky biznes – në vend që të ndëshkohej – u injorua nga inspektorët, duke i dhënë shkas dyshimeve për ndëshkim selektiv dhe mbrojtje politike.

“The Home”: Restoranti ku përplasen interesat private me paratë publike

Në qendër të kësaj hipokrizie qëndron restoranti luksoz “The Home”, i vendosur në një vilë dykatëshe në zemër të Tiranës, dhe sipas të dhënave zyrtare, është në pronësi të bashkëshorteve të Arbjan Maznikut dhe Endri Fugës dy figurave kyçe të qeverisë Rama.

Në QKB, kompania rezulton me 50% të aksioneve në emër të Marinela Lika (bashkëshortja e Maznikut) dhe 50% në emër të Besa Fuga (bashkëshortja e këshilltarit dhe drejtorit të AMI, Endri Fuga).

Por lidhjet nuk mbarojnë këtu. Vetë Mazniku ka qenë nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe anëtar i Këshillit të Administrimit të kompanisë publike Tirana DC, përmes së cilës  sipas të dhënave të siguruara nga BIRN  restoranti “The Home” ka përfituar rreth 800 mijë euro në tenderë nga Bashkia e Tiranës dhe kjo kompani.

Në mbrëmjen e ndërrimit të viteve, më 31 dhjetor 2023, një darkë zyrtare me 55 persona u mbajt në këtë lokal dhe u pagua nga Bashkia me një faturë prej 236 mijë lekësh, duke ngritur alarmin për konflikt të hapur interesi.

Një skemë me shumë nyje: Nga darkat te SPAK-u

Kompania Tirana DC, e cila u drejtua nga të arrestuarit Redi Molla dhe Mariglen Qato për afera korruptive me firmën “5D Konstruksion”, ka qenë edhe një burim i vazhdueshëm kontratash të dyshimta me “The Home” dhe rrjetin që qëndron pas tij.

Mazniku, aktualisht Ministër për Qeverisjen Vendore, është thirrur në SPAK më 22 korrik për një dëshmi që zgjati më shumë se tre orë, por mbetet e paqartë nëse ai është pyetur konkretisht për këtë rast.

Ndërkohë, qytetarët nuk kanë trotuar ku të kalojnë, ndërsa pushteti darkon në vilat-restorant në qendër të Tiranës, të paguara me lekët e taksapaguesve.

Publikuar nga Publik Media