Lojërat me pronat në Shqipëri
“Kadastra shqiptare është qendra korruptive më e madhe në të gjithë Ballkanin, për të thënë të vërtetën.” Kjo është deklarata e fortë e ekspertit Agron Haxhimali, i cili ngre alarmin për gjendjen në institucionin kyç të menaxhimit të pronave në vend.
Sipas tij, një shtet me përmasa të vogla si Shqipëria duhet ta kishte zgjidhur prej kohësh çështjen e pronësisë, por realiteti është krejt i kundërt. Ai thekson se, pavarësisht premtimeve për modernizim dhe digjitalizim nga qeveria e drejtuar nga Edi Rama, qytetarët vazhdojnë të përballen me një sistem joefikas dhe të mbushur me pengesa.
“Shqipëria duhet ta zgjidhte para 35 vitesh, se nuk ka pasuri sa Kina e India që e kanë të vështirë t’i menaxhojnë. Pasuri brenda 28 mijë km katrorë, pasuri për 800 mijë familje. Kadastra shqiptare është qendra korruptive më e madhe në të gjithë Ballkanin, për të thënë të vërtetën. Ai (Rama) na tha se do ta bëjë dixhitale, s’keni më punë të shkoni në Kadastër. Futuni në e-Albania na tha. Nuk ka qytetar shqiptar që të mbarojë punë në e-Albania me Kadastrën”, deklaroi Haxhimali.
Sipas ekspertëve, problematikat e thella në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës nuk lidhen vetëm me paaftësinë administrative, por edhe me dyshime serioze për korrupsion dhe manipulim të pronave.
Në të njëjtën linjë janë edhe gjetjet e SPAK, e cila në raportin e saj vjetor për vitin 2025 ka evidentuar ndikim të drejtpërdrejtë të grupeve kriminale në këtë institucion. Sipas këtij raporti, individë të lidhur me krimin janë pozicionuar në poste kyçe, ndërsa procesi i digjitalizimit dyshohet se është përdorur për të zhdukur gjurmë të dokumenteve fizike.
Vetëm gjatë vitit të kaluar janë sekuestruar rreth 11 milionë euro pasuri të lidhura me falsifikime dokumentesh, kryesisht në zona turistike si Vlora dhe Gjiri i Lalzit.
Në qendër të vëmendjes ndodhet edhe drejtuesja e institucionit, Lorena Goxhobelli, për të cilën burime bëjnë me dije se ka tentuar disa herë të japë dorëheqjen. Megjithatë, ajo vijon të mbetet në detyrë, ndërsa një numër i konsiderueshëm zyrtarësh të lartë të institucionit janë nën hetim pasuror.
Situata paraqitet alarmante edhe për shkak të numrit të madh të dosjeve të pazgjidhura. Mbi 36 mijë kërkesa për legalizim rezultojnë ende pezull, ndërsa akuzat për tjetërsim pronash në favor të interesave të paligjshme shtohen çdo ditë.
Në këtë panoramë, ekspertët paralajmërojnë se Kadastra është kthyer në një “minë me sahat”, e cila rrezikon jo vetëm zyrtarët e përfshirë, por edhe vetë sigurinë juridike të pronës në Shqipëri.







