Akuzat e Metës, Braimllari: Emri im s’të mbulon hallet!

Një përplasje e re ka shpërthyer mes Ilir Metës dhe ish-bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Endrit Brahimllari. Kreu i Partisë së Lirisë ka hedhur akuza të rënda ndaj Brahimllarit, duke e fajësuar për kontratën e lobimit në SHBA, për të cilën Meta ndodhet sot nën hetim nga SPAK.

Sipas Metës, firma mbi kontratën është hedhur nga Brahimllari, ndërsa korrespondenca me kompanitë amerikane është mbajtur nga kushëriri i tij, Eriol Brahillari, i cili gjithashtu është përmendur në dosjen e hetimit.

“Endrit Brahimllari ka firmosur për lobimin dhe mbikëqyrur zbatimin e tij. Sot është rilindas i listës së Edi Ramës,” shkruan Meta, duke e quajtur largimin e tij nga PL si pjesë të një pazari me drejtësinë.

Reagimi i Brahimllarit: “Meta kërkon të shpëtojë me emrin tim”

Në një përgjigje të shkurtër, Endrit Brahimllari, tashmë pjesë e PS-së, deklaron se çështja e lobimit është ezauruar që në vitin 2023 dhe nuk komenton më mbi çështje që “i takojnë drejtësisë”.

“Emri im nuk mund të mbulojë hallet e Metës me drejtësinë,” – tha ai.

Nga nënkryetar i PL në kandidat i PS: si u kthye Brahimllari në “armik”

Përplasjet nisën në prill 2024, kur Meta paralajmëroi “spastrime” në PL. Një ditë më vonë, Brahimllari dha dorëheqjen, duke përmendur “pamundësinë për të ushtruar funksionin” për shkak të konflikteve të brendshme.

Në tetor 2024, banesa e tij u kontrollua nga BKH në kuadër të hetimit për lobimin dhe aferën “CEZ-DIA”. Në janar 2025, ai kaloi zyrtarisht me PS-në si kandidat për deputet në Tiranë.

PL: “Peng i SPAK, i korruptuar deri në fyt”

Pas kalimit të tij në PS, Partia e Lirisë ka shpërthyer në akuza ndaj Brahimllarit, duke e etiketuar si “sufllaqexhi” dhe “kërmill i Rilindjes”, i kapur nga SPAK për shkak të firmave dhe përgjegjësive në lobim.

Publikuar nga Publik Media