TIRANË– Ilir Alimehmeti, një ndër kandidatët më të votuar të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duket se ka kritika për procesin zgjedhor dhe jo vetëm. Në një intervistë për Report TV, Alimehmeti tha se opozita duhet të marrë përgjegjësi për humbjen, duke shtuar se kandidatët në listat e mbyllura, thuajse nuk ishin të pranishëm në fushatë. Edhe pse nuk i përmendi me emër, ish-kandidati për deputet u shpreh se pretendimet e tij se nuk ka marrë suport nga kolegët janë të vërteta.
“Patjetër duhet të reflektojë. Në radhë të parë a ka ceduar fushata, në disa elemente patjetër që po. Disa elementë kanë thuajse të papranishëm në fushatë, përgjithësisht të listës së mbyllur. Kjo është e vërtetë sepse nuk fshihem pas gishti. A do të ketë një analizë gjithëpërfshirëse? Do ta bëjmë, të mbarojë procesi. Ka pasur mesa di edhe disa qarqe të tjera, por ka qenë i vetmi problem? Jo, ka pasur edhe probleme të tjera. Përgjegjësia shkon për lart në çdo organizatë apo biznes. Por neve nuk shohim vetëm këtë fakt, jo vetëm që do të përmirësohesh dhe në çfarë terreni përmirësohesh. Nëse këtu nuk ka dikush në këtë garë midis dy forcave nuk ka arbitër, apo nuk është korret, është e kotë. Gjithmonë vëllai i madh do ta mundë të voglin në mundje. Ne fshihemi pas këtyre shifrave dhe harrojmë gjërat e mëdha,”-tha Alimehmeti.
Ndërkohë që i pyetur për kërkesën e tij të depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkon pamjet filmike të numërimit të votave, Alimehmeti u shpreh se ka dyshime nga të dy kampet (PS dhe PD). Sipas tij, rishikimi i numërimit është i parashikuar në ligj, ndaj edhe kërkon që të kontrollojë edhe njëherë fletët e hedhura në kutitë e numërimit.
“Nga të dy krahët. Numërues ka 4 vetë në tavolinë. Përderisa i kërkova, po. Ndoshta kamera thotë nuk ekziston kjo gjë, është e drejta e çdo kandidati që t’i shohë. Kjo është e parashikuar në ligj. Unë jam shumë institucional në këtë drejtim, përderisa ka një procedurë që ka miratuar KQZ, ndiqet ajo procedurë,”-shtoi mjeku.
Ilir Alimehmeti mori 16595 në qarkun e Tiranës, ndërsa 1350 vota i mori nga shqiptarët që kanë votuar nga jashtë për herë të parë.