Ana e errët e fitores së Tom Doshit, mori 50 tendera në një ditë nga Manastirliu. 2339 tendera në total

Tom Doshi, me partinë PSD që i mori në përdorim Skënder Gjinushit, ka marrë një rezultat surprizues në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.

Partia e Tom Doshit ka marrë mbi 90 mijë vota, duke zëvëndësuar LSI-në si faktor politik.

Benet Beci i PS-së fitoi me 11.701 vota diferencë në Shkodër, por 13 mijë vota ka marrë Tom Doshi, dyfishin e votave të PD-së.

Tom Doshi ka diktuar fituesin në Shkodër. Partia e tij ka dalë subjek i parë në Malësinë e Madhe dhe Vaun e Dejës.

Por, ashtu si LSI-ja që fryhet sa herë është në pushtet, edhe partia e Tom Doshit ka shtuar votat duke përdorur paratë dhe pasuritë publike, duke iu imponuar Edi Ramës për kapjen e drejtorive, sektorëve me para, favorizimeve, lejeve, licencave, vendeve të punës etj.

Jo rastësisht është sanksionuar nga SHBA-të për korrupsion madhor.

Konretisht, Tom Doshi vetëm në shëndetësi ka marrë 2339 tendera nga ministërja Ogerta Manastirliu dhe drejtorët e saj.

Sigurisht që ministërja nuk ka firmosur me kokën e saj, por dora e saj ka lëvizur nga fije dhe interesa të fuqishme korruptive.

Madje Tom Doshi ka marrë brenda ditës 50 tendera në sektorin e shëndetësisë.

Bëhet fjalë për kompaninë Aldosch Farma, të cilën Tom Doshi e kontrollon përmes një personazhi misterioz me emrin Aqif Hoxha.

Nga viti 2015, Ministria e Shëndetësisë dhe degët e saj kanë dhënë mbi 22 mijë tendera me vlerë qindra mijëra euro. Janë 874 kompani që kanë përfituar para publike. Aldosch Farma ka marrë në total 2339 tendera, pra më shumë 10 % të tenderave në shëndetësi nga viti 2015 deri më sot kanë shkuar për Tom Doshin.

Çuditërisht shumicën e tenderave kompania e Tom Doshit i ka marrë pas shpalljes së tij në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2018, për korrupsion madhor.

Opozita aktuale ankohet se Rama fitoi me Tom Doshin, por nuk ka folur kurrë për tenderat që Doshi merr në shëndetësi.

Opozita flet vetëm pasi humbet zgjedhjet dhe pasi përvetësimi i parave dhe pasurive publike është hedhur pjesërisht për të mbledhur vota.

Opozita nuk flet pasi edhe përfaqësues të saj, ashtu si Tom Doshi, përlajnë tendera në shëndetësi, përmes të besuarve të tyre.

Vetë daja i Ilir Metës, Vladimir Metani, ka marrë miliona euro para publike me kompaninë e tij të ndërtimit ‘Desaret Company’, me nipt: K01816001J.

Petrit Vasili, përgjatë kohës që mbante postin e Ministrit të Shëndetësisë, 2009-2012, i ka dhënë tendera kompanisë “Megapharma Shpk”, në pronësi të Rasim Hamzaraj, të cilin e njohin me pseudonimin Luçi. Dhe jo pak, por 13 milionë euro tendera.

Partia Socialiste, kur ishte në opozitë, deklaronte se Vasili kishte lidhje të afërt gjaku me Hamzaraj, ai ishte djali i dajës së ministrit.

Nga viti 2015 deri në vitin 2022, Rasim Hamzaraj ka marrë rreth 1 200 tendera në shëndetësi me vlerë mbi 40 milionë USD. Kjo mund të jetë edhe një taktikë e Ramës për t’i mbyllur gojën Partisë së Lirisë dhe Foltoren.

Nga ana tjetër, një grup oligarkësh që marrin para dhe pasuri publike, paguajnë rregullisht Shkëlzenin, financojnë televizionin e Familjes dhd gazetarë në oborrin e familjes.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë dyshim apo deduksion, por për dokumente dhe transaksione konrete, pra për para të rregullta.

Më parë, biznesmenët i jepnin miliona euro Lulzim Bashës, përmes kunatit të tij.

Pra, paratë publike nuk shkojnë vetëm në xhepat e Tom Doshit, ministrave të Ramës dhe klientëve të tij, por ndahen edhe me Ilir Metën dhe Sali Berishën.

Publikuar nga Publik Media