Analiza/ Udhëheqja e Iranit drejton nga bunkeri

Çfarë do të thotë për të ardhmen e shtetit?

Mungesa e udhëheqësit suprem, ajatollah Ali Khamenei, nga syri i publikut gjatë luftës Izrael-Iran mund të jetë një moment përcaktues për udhëheqjen e tij dhe të ardhmen e Republikës Islamike.

Përderisa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ishte gjithë kohës i pranishëm në publik – duke bërë përditë deklarata dhe duke treguar vendosmëri – Khamenei, komandanti i përgjithshëm i Iranit, pothuajse nuk u pa fare nga publiku, pasi ai publikoi vetëm dy video-mesazhe gjatë konfliktit. Një prej tyre thuhet se është incizuar në një bunker.

Teksa video-mesazhi i tretë u shfaq pas armëpushimit, debati mbi ndikimin e sjelljes së tij gjatë luftës është thelluar si në mesin e ekspertëve, ashtu edhe në opinionin publik iranian.

U fsheh për të mbijetuar
Zhdukja e Khameneit nga skena publike nuk lidhet thjesht me stilin e tij të udhëheqjes. Ajo është nxitur drejtpërdrejt nga raportimet se ai ishte në krye të listës së Izraelit për eliminim.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, publikisht ka konfirmuar se Izraeli në mënyrë aktive synonte vrasjen e udhëheqësit suprem iranian gjatë konfliktit, por nuk mund ta vriste pasi ai ishte “fshehur shumë thellë nën tokë”, që nënkuptoi se Izraeli “nuk pati mundësi operative” për të kryer një atentat ndaj tij.

Kërcënimi ishte aq serioz, saqë Khamenei raportohet se pezulloi çdo komunikim elektronik dhe u mbështet vetëm te ndihmësit e tij më të besueshëm. The New York Times ka raportuar se ai madje kishte caktuar se kush do të merrte postin e tij në rast se do të vritej.

Udhëheqja nën sulm?
Ky nivel i kërcënimit dhe mënyra se si reagoi Khamenei ndikuan ndjeshëm në perceptimin për udhëheqjen e tij.

“Ajatollah Khamanei ishte përgjegjës si për sjelljen e kësaj katastrofe mbi regjimin e tij, po ashtu edhe për shpëtimin e tij në një moment rreziku”, tha për Radion Evropa e Lirë, Ali Vaez, drejtor i programit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

Sulmi fillestar izraelit eliminoi një sërë komandantësh të ushtrisë së Iranit dhe ekspozoi “dobësi serioze strukturore brenda udhëheqjes dhe aparatit të sigurisë së Iranit”, tha Vaez.

Këto pengesa, të përforcuara edhe nga dëmet në arsenalin raketor të Iranit, programin bërthamor dhe bashkëpunëtorët rajonalë, e kanë futur doktrinën strategjike të Republikës Islamike në një kaos.

“Përderisa Khamenei i ka mbijetuar konfliktit, si fizikisht ashtu edhe politikisht, trashëgimia e tij është shkatërruese për shtetin”, argumentoi Vaez.

Megjithatë, disa shohin nuanca në mënyrën se si Khamenei e menaxhoi krizën.

Raz Zimmt, drejtor për Iranin në Boshtin Shiit në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare, me seli në Tel Aviv (INSS), vuri në pah se pavarësisht tronditjes fillestare dhe humbjes të komandantëve të lartë, Khamanei arriti që shpejt të emëronte pasardhësit – një arritje organizative që “nuk është aspak e lehtë”, veçmas duke pasur parasysh shkallën e këtyre humbjeve.

“Pavarësisht befasisë, pavarësisht tronditjes, që sigurisht rriti paranojën e tij, mendoj se ai në fakt ai arriti të emërojë pasardhës në më pak se 24 orë”, tha Zimmt për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, kjo aftësi për të ruajtur kontrollin përballë kaosit, e ka mbrojtur përkohësisht Khamenein që autoriteti i tij të mos sfidohet në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Do të jetë edhe më e vështirë të vihet në dyshim autoriteti i tij në të ardhmen e afërt, kryesisht për shkak se ai është i rrethuar me komandantë që kanë më pak përvojë”.

Forcimi i rolit të Gardës Revolucionare
Megjithatë, ky episod ka forcuar më shumë rolin e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike.

Vaez theksoi se “çdo tronditje që i është shkaktuar Republikës Islamike nga jashtë… historikisht ka kontribuar në zgjerimin e rolit të Gardës Revolucionare brenda sistemit”.

Garda Revolucionare ka dalë nga kjo krizë si shtylla kurrizore e establishmentit politik, duke mbushur shpejt boshllëqet në komandë dhe duke e pozicionuar veten si institucion i pazëvendësueshëm për mbijetesën e Iranit.

Zimmt u pajtua, duke argumentuar se “nuk shoh asnjë tjetër që mund ta zëvendësojë Gardën Revolucionare si elementin kryesor brenda elitës iraniane që mund të ofrojë siguri dhe të mbështesë ekzistencën e regjimit”.

Megjithatë, kostot strategjike të luftës me gjasë do të ngrenë pyetje të vështira në muajt e ardhshëm të cilat kanë të bëjnë “me shqetësimet për paaftësinë e Iranit për të ruajtur aftësinë parandaluese përballë Izraelit dhe SHBA-së”.

Por, ai shtoi se “mendoj që për aq kohë sa [Khamenei] është aty, dhe për aq kohë sa nuk ka arsye që ai të pensionet, Garda Revolucionare do ta mbështesë atë… dhe pastaj do të përgatitet për ditën kur të vijë pasardhësi i tij”.

Ndryshimi i balancës së pushtetit

Të dy ekspertët ranë dakord se edhe pse një grusht shteti ka pak të ngjarë të ndodhë në terma afatshkurtër, ndikimi i Gardës Revolucionare pritet të rritet gjithnjë e më shumë, veçmas pasi mosha e shtyrë e Khameneit ngre pikëpyetje për pasardhësin e tij.

Vaez paralajmëroi se Garda Revolucionare “po afrohet ngadalë drejt shqyrtimit të udhëheqjes fetare më shumë si një barrë sesa si një aset”.

Ndërkaq, Zimmt u shpreh se nuk sheh asnjë sinjal për një ndryshim të afërt të drejtimit strategjik të Iranit, as nën Khamenein dhe as nën pasardhësin e tij, diçka, që sipas tij, i përshtatet shumë mirë Gardës Revolucionare.

Pra, përderisa ka pak të ngjarë që të ketë sfida të menjëhershme ndaj sundimit të Khameneit, roli qendror i Gardës Revolucionare vetëm është rritur për shkak të luftës me Izraelin, e cila ka nxitur pyetje dhe përplasje të pushteteve që do të formësojnë të ardhmen e Republikës Islamike./ REL

Publikuar nga Publik Media