Anesti Angoni dhe Inceneratori nuk egzistojnë por flluskat e sapunit të Veliajt po

 Genc Gjokutaj

Flluskat e sapunit dhe saga e Veliajt

Miq të mi,

Kjo mesele e Erion Veliajt, po ta analizosh hollë e hollë, duket si një “flluskë sapuni”! Në këtë histori, SPAK-ut i duhet të përcaktojë dy gjëra: ku ndodhet sapuni dhe pse po bën aq shumë flluska!

Po ta shqyrtojmë me gjakftohtësi, çështja ka shumë pika të dyshimta. Së pari, kallëzuesi i këtij rasti, njëfarë Anesti Angoni, thjesht nuk ekziston! Në të njëjtën mënyrë, hetohet për një incenerator, i cili gjithashtu nuk ekziston! E pra, nëse kemi një person dhe një objekt që nuk ekzistojnë, si mund të ndodhet Erioni në mes të kësaj meseleje?

A duhet të dënohet dikush vetëm sepse është i lidhur me një rast të sajuar mes një personi të paqenë dhe një inceneratori fantazmë? Ligji, sigurisht, nuk pyet për ekzistencën e kallëzuesit apo të inceneratorit. Çështja është se lekët duket sikur kanë shkuar drejt një inceneratori inekzistent. Dhe ja ku lind pyetja: ku shkuan lekët? Të kthehemi tek kallëzuesi që duhet ta sqarojë këtë – por edhe ai, sipas Erionit dhe kompanisë, nuk ekziston!

Ky është një hall i madh! Po një hall edhe më i madh ka SPAK-u, që duket sikur po e shndërron çështjen në një flluskë sapuni. Dhe në fakt, kjo merr kohë. Ndërkohë, sapuni që prodhon këto flluska, thonë, është importuar nga agjencitë e huaja!

Situata bëhet edhe më qesharake kur rreth SPAK-ut fluturojnë përditë flluska sapuni. Dhe këto flluska po shqetësojnë Erionin dhe të tjerë që duken të përfshirë.

Interesante janë zhvillimet e fundit, ku flitet se vendndodhja e sapunit është “dekonspiruar” me qëllim që të zhduken flluskat. Duket se plani është që të kapet dhe të zhduket sapuni i mallkuar!

Por një pyetje mbetet ende pezull: a bëhet fjalë për një sapun të vetëm apo për disa të tillë? Sepse numri i sapunëve mund të përcaktojë edhe numrin e atyre që do të merren me zhdukjen e këtyre flluskave.

Historia vazhdon dhe flluskat sa vijnë e shtohen…

Në përditësim!

Publikuar nga Publik Media