Anulohen zgjedhjet lokale, kandidati shqiptar manipuloi votat

Një gjykatë në kantonin e Gjenevës në Zvicër vendosi të anulojë zgjedhjet për këshillin bashkiak në qytetin Vernier.

Rasti ka bërë shumë bujë në Zvicër.

Disa media thonë se më në fund drejtësia shpëtoi demokracinë, pasi zgjedhjet ishin manipuluar.

Dhoma Kushtetuese e Gjykatës së Drejtësisë në Gjenevë vendosi se parregullsitë kanë shtrembëruar rezultatin e votimit për parlamentin vendor të qytetit të dytë më të madh në këtë kanton.

Dy ankesa të depozituara pas zbulimit të anomalive statistikore në përfundim të zgjedhjeve u pranuan nga Dhoma Kushtetuese, njoftoi të enjten pushteti gjyqësor i Gjenevës.

Një ekspertizë e shkrimeve arriti në përfundimin se nëntë persona kanë plotësuar 278 fletëvotime.

“Një mashtrim i tillë nuk lejon që rezultati i 23 marsit të pasqyrojë vullnetin e sinqertë dhe të saktë të zgjedhësve,” bëri me dije gjykata.

Falë këtyre votave shtesë, tre kandidatë – një socialist, një nga PLR dhe një nga MCG – kishin arritur një rezultat shumë të mirë në zgjedhjet për këshillin bashkiak, duke tejkaluar madje edhe magjistratët aktualë, të cilët ishin shumë më të njohur.

Në intervista për mediat në atë kohë, tre kandidatët shpjeguan rezultatin e tyre me një fushatë aktive në terren dhe me faktin se kishin përfituar nga vota komunitare.

Një prej kandidatëve ishte shqiptar nga Kosova.

Një tjetër ishte me origjinë nga Kameruni dhe tjetri me origjinë nga Turqia.

Publikuar nga Publik Media