Gjatë spektaklit të djeshëm në BBV2 Luizi bëri një koment për Efin duke i thënë se vjen nga Për’puthen dhe duke u përpjekur të ulë imazhin e saj si lojtare në këtë format.
Duket se ajo frazë ka prekur dy moderatoret Borën dhe Arbanën të cilat në story në instagram kanë reaguar kundër tij.
Reagimi i Bora Zemanit
Më vjen keq që akoma edhe sot në këtë Shqipërinë tonë të vogël me probleme të mëdha, shoh që diskutohet me dy standarde edhe për gjëra fare normale. Efit i përmendet si TURP eksperienca e saj në PP, si e vetmja “armë” për ta sulmuar, kur nga ana tjetër edhe Kristi është bërë i njohur për publikun po prapë nga një program dashurie dhe nuk e sulmojnë me këtë, sepse Kristi ka të drejtë të zgjedhë mes 30 vajzave dhe familjes së tij nuk duhet t’u vijë turp, ndërsa për Efin po, është turp! Programe si Big Brother apo Për’puthen janë të vështira si për konkurrentët edhe për ata që i prodhojnë, por çfarë i përket secilit është shumë e qartë. Produksionet kanë për detyrë të sjellin në vëmendje situata (të krijuara nga vetë konkurrentët) sa më të larmishme dhe interesante për të mbajtur publikun mbërthyer pas ekranit, por sesi i menaxhojnë këto situata konkurrentët, përcakton dhe rrugëtimin e tyre apo impaktin që lenë në publik.
Ka personazhe që zgjedhin lidhje romantike në Big Brother në kuadër të lojës ose jo, ashtu siç ka personazhe në Për’puthen që tregojnë shumë më tepër dhe japin mesazhe më të forta sesa vetëm ndjenjat në Për’puthen, në kuadër të lojës ose jo. Pra nuk mund të themi që është turp të njohësh dikë në Për’puthen dhe nuk është turp të lidhesh në Big Brother. Në fakt nuk është turp asnjëra madje është gjëja më e bukur kur kjo është e vërteta sepse kam bindje të plotë që publiku e përqafon shumë fort të vërtetën, gjithmonë!
Reagimi i Arbana Osmanit
Edhe një herë tjetër dua të saktësoj përgjigjen time në lidhje me deklaratat e Luizit për ‘vajzat e Përputhen’.
Çdo vajzë që merr pjesë në një reality show (spektakël) si ‘Big Brother’ apo ‘Përputhen’ ka një linçim publik 10 fish më të madh se një djalë. Dhe këtë po e diskutoja edhe dje me Kiarën ku më erdhi shumë keq kur më tha se momenti që më ka bërë tepër të vuaj ishte kur mësova se vëllait tim i dërgonin mesazhe të tipit ‘Shikoje motrën tënde çfarë bën poshtë jorganit’.
Nuk e bën një vajzë me ‘turp’ fakti që vendos të marrë pjesë në një program televiziv dhe të ndajë historinë e saj të dashurisë me publikun. Askush nuk ka të drejtë të mërzisë as vëllain e Efit, dhe as atë të Kiarës e të asnjë vajze tjetër të këtij vendi duke predikuar moral.
Efi, Kiara, Dea, Olta etj, janë të gjitha vajza e gra që prej muajsh po linçohen masivisht online vetëm sepse në momente të caktuara kanë zgjedhur të jetojnë Big Brotherin e tyre si duan ato. Linçimi jashtë është më se i tepërt. Aq sa kur më i vogli vjen brenda shtëpisë, mua si grua më bën të reagoj.