Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave është një nga ato institucione që shpenzon shumë nga taksat e qytetarëve shqiptarë, edhe pse detyrat e saj shpesh nuk i kryen siç duhet. Këtë herë, drejtori i Arkivave, Ardit Bido, ka planifikuar të shpenzojë 831 milionë lekë pa TVSH (996 milionë lekë me TVSH) për të muzealizuar institucionin e Arkivave.

Sipas dokumenteve ky muzealizim përfshin; patinim muri, ndërtime me gips, lyerje me bojë, veshje tekstile, shkronja, Xham Ultra Clear Montim + Aksesore dhe ndriçime të llojeve të ndryshme.
Sikur duket nga tabela ku paraqiten shërbimet, Bido po mendon të zbukurojë institucionin, që ai e quan muzealizim dhe do të gllabërojë nga buxheti i shtetit jo pak por 996 milionë lekë me TVSH.

Dhe si për të fshehur shpenzimet marramendëse që po bëhen për fasadë, në shërbim Bido ka përfshirë dhe përmirësimin e sistemi i mbrojtjes nga zjarri për Muzeun Arkivor, që pritet të shpenzojë më pak se gjysmën e këtyre parave.
Ky tender është shpallur ditën e sotme dhe fituesi do të shpallet më 7 korrik. Ndërsa më poshtë theksohet se punimet do të zgjasin për 6 muaj, që nga firmosja e kontratës, që praktikisht i bie në muajt korrik-dhjetor.

Por, në dokumentet standarde shihet se financimi është ndarë një pjesë për t’u dhënë në këtë vit dhe pjesa tjetër janë në vitin 2024. Sigurisht janë kaq shumë para, saqë Bidos i duhet t’i shtrijë në kohë për të mos rënë në sy. Madje do të bëhet edhe shpërndarje e tyre përtej planit fillestar. Duhet thekuar se pjesa më e madhe e fondit, mbi 660 milionë lekë do të jepen në vitin 2024.
Këto janë manovra që bëhen nga drejtorët për të fshehur abuzimet. Por, deri në këtë pikë është e qartë që Bido duhet të japë llogari se përse po bëhen kaq shumë shpenzime, për bojë e zbukurime.