Ari vijon të mbetet një nga asetet më strategjike në skenën globale, duke simbolizuar pasuri, fuqi dhe stabilitet ekonomik. Sipas të dhënave të fundit nga Këshilli Botëror i Arit (WGC), Shtetet e Bashkuara mbajnë vendin e parë në botë për sasinë e rezervave të arit, me plot 8.133,46 ton – më shumë se dyfishi i Gjermanisë, vendi i dytë në renditje, që zotëron 3.351,53 ton.Në muajt e parë të vitit 2025, SHBA ka intensifikuar ndjeshëm importet e arit, duke sjellë në mënyrë diskrete mbi 600 ton të këtij metali të çmuar, kryesisht nga Zvicra. Vetëm në mars, importet arritën nivelin më të lartë në 13 muajt e fundit – 25,5 ton, kundrejt 12,1 tonëve të importuar në shkurt. Kjo lëvizje strategjike erdhi përpara se kriza globale e tarifave të trondiste tregun ndërkombëtar të metaleve të çmuara.Ndërkohë, garës për ar po i bashkohen edhe fuqitë e tjera botërore. Kina ka vijuar të rrisë ndjeshëm rezervat e saj, duke tejkaluar tashmë 3.500 ton, ndërsa Rusia raportohet se zotëron rreth 2.335 ton.Këto zhvillime sinjalizojnë një përgatitje të qartë për një rend të ri financiar, ku ari pritet të luajë një rol kyç si garanci e qëndrueshmërisë monetare dhe ekonomike në një botë gjithnjë e më të pasigurt.
