Një tjetër tender i dyshimtë u firmos nga Operatorit i Blerjeve të Përqendruara (OBP) më 25 prill 2025, ku firma ndërtimore “LLAZO” me seli në fshatin Bishqethem, fitoi kontratën 2.6 milionë euro për rikonstruksionin e Spitalit të Lushnjes. Megjithëse në garë morën pjesë 12 kompani, plot 11 prej tyre u skualifikuan, duke ngritur dyshime të forta për paracaktimin e fituesit dhe manipulim të procesit.
Pas firmës fituese qëndrojnë vëllezërit Aldi dhe Anea Llazi, të dy me nga 50% të aksioneve, të cilët sipas burimeve kanë lidhje të fuqishme me aktorë të rëndësishëm politikë në qarkun e Fierit dhe më lart. Firma “LLAZO” është përfshirë dhe më parë në projekte publike të majme, të cilat i ka fituar përmes procedurave të dyshimta, ndërkohë që ndaj saj ka pasur hetime edhe nga SPAK.
Kontrata është firmosur nga drejtoresha e OBP-së, Arlinda Pogaj, e njohur për dhënien e tenderëve shumëmilionësh ndaj personave me precedentë penalë dhe lidhje të krimit të organizuar. Burime mediatike e përshkruajnë Pogajn si “ustallesha” e pazareve në tavolinë, e cila mund të jetë kandidate për “zyrë të re” në burgun e Pogradecit, për shkak të numrit të lartë të aferave që ka firmosur ndër vite.
Sipas dokumentacionit zyrtar, “LLAZO” do të kryejë 89% të volumit të punës, ndërsa 11% i është lënë firmës “METEO” nga Elbasani, pronë e Eral Myftarajt – një emër i përfolur për lidhje me figura të botës së krimit dhe tendera të dyshimtë. Si subjekt mbështetës është përfshirë edhe firma “IMPACT” nga Tirana.
Tenderi parashikon rikonstruksionin e godinës qendrore të Spitalit të Lushnjes brenda një afati 13-mujor. Megjithëse në garë morën pjesë kompani të mëdha dhe të njohura në sektorin publik, të gjitha u skualifikuan në favor të një firme me profil lokal, por me mbështetje të fortë politike.
Kjo ngjarje i shton një tjetër faqe të errët skemës së abuzimit me fondet publike, ndërkohë që institucionet e drejtësisë vijojnë të heshtin përballë skandaleve të tilla që konsumohen në mënyrë të përsëritur./joq