Armando Duka i FSHF mori 107 mijë euro nga fondet e BE për glasat e pulave

Shoqëria “Aiba Company”, në pronësi të Armando Dukës, njëkohësisht edhe kreu jetëgjatë i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) rezulton të ketë përfituar 107 mijë euro nga fondet e Bashkimit Europian për mbështetjen e sektorit të bujqësisë në Shqipëri, nëpërmjet projekti “IPARD II”.

Të dhënat zyrtare tregojnë se kompania me qendër në Shkozet ka aplikuar dhe ka nënshkruar kontratë me Agjencinë e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Rural (AZHBR) për një shumë prej 13.5 milionë lekë të reja të taksapaguesve europianë.

Të dhënat zyrtare të AZHBR për financimin e shoqërisë ‘Aiba Kompani”

Vlera totale e projektit është në shumën 237 mijë euro dhe synimi është “Impiant per tharjen e glasave te pulave dhe zogjve”.

Kontrata ndërmjet kompanisë së Armando Dukës dhe AZHBR-së, e cila menaxhon fondet e projekteve IPARD, është nënshkruar në maj 2020 dhe kishte afat deri në dhjetor të atij viti.

Faqja zyrtare e AZHBR informon për fondi ndaj kompanisë “AIBA”

Vëmendja e opinionit publik shqiptar u fokusua ditët e fundit tek mënyra e shpërndarjes së fondeve të Bashkimit Europian për bujqësinë në Shqipëri, pasi Komisioni Europian njoftoi pezullimin e lëvrimit të shumave të tjera monetare, në bazë të projektit “IPARD III”.

Sipas burimeve zyrtare nga Komisioni Europian, masa e pezullimit të përkohshëm të fondeve u mor pas një hetimi të gjerë që ka nisur Zyra e Anti-Mashtrimit në Bruksel, OLAF.

“Zëri i Amerikës” raportoi më herët se kjo masë pezullimi u mor, pasi në Bruksel kishin mbërritur denoncime të shumta mbi shpërndarje abuzive dhe me bazë korruptive të fondeve të “IPARD II” në Shqipëri.

Sipas të njëjtës media, inspektorët e OLAF kanë marrë denoncime me fakte konkrete dhe janë duke verifikuar veprimtarinë e autoriteteve shqiptare për mënyrën se si autoritetet shqiptare, e më konkretisht AZHBR dhe Ministria e Bujqësisë, kanë përdorur fondet europiane.

Mediat në Shqipëri kanë raportuar në mënyrë periodike se qindra mijëra euro të projektit “IPARD II” kanë përfunduar në llogaritë e kompanive apo personave të lidhur politikisht apo familjarisht me zyrtarë të nivelit të lartë.

Armando Duka i FSHF-së ka pasur raporte të lëkundura me drejtuesit e lartë qeveritarë. Ai është parë shpesh në shoqërinë e Edi Rama, madje u vendos si “koperturë” elektorale e kryeministrit gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të majit 2023.

Duka ishte i pranishëm në aktivitetet me natyrë elektorale të Ramës, kur ky i fundit premtonte fusha futbolli në qytete të ndryshme të Shqipërisë. / Bold news

Publikuar nga Publik Media