Gjatë paraqitjes së tij në SPAK për masën e sigurisë, Sali Berisha akuzoi Prokurorinë për mashtrim publik në lidhje me çështjen “Bankers Petroleum”. Kreu i PD theksoi se gjatë qeverisjes së tij kompania ka paguar qindra milionë euro dhe është vendosur për herë të parë një rentë prej 10%, më e lartë se tatim fitimi.
Ai sqaroi se kontrata me Bankers ishte trashëguar nga një qeveri e mëhershme dhe përfshinte klauzola që e mbronin nga ndërhyrje të njëanshme. Sipas Berishës, kompania nuk e çoi çështjen në arbitrazh, por pranoi marrëveshjen për rentën si pjesë e një nisme të OKB.
“Kjo është kompani publike kanadeze që ka paguar gjithçka me detyrim ligjor, madje edhe taksa të padrejta,” deklaroi ai.
Berisha e cilësoi deklaratën e prokurorisë si “banditizëm gjobëvënës” dhe kërkoi që faktet të kërkohen në librat e tatimeve.
FJALA E BERISHËS:
Çfarë mund të them unë për këtë?
Kontrata me Bankers Petrolium është e firmosur nga qeveria para qeverisë së PD.
Një kontratë për hidrokarburet, e cila ka një klauzolë, nenin 18 që e mbron kompaninë, nuk lejon që të bëhen lëvizje të saj pa miratimin e kompanisë.
Me gjithë këtë, qeveria e PD ka bërë më të jashtëzakonshmen, dhe më e jashtëzakonshmja ka qenë vendosja e rentës 10 përqind.
Vendosja e rentës 10 përqind është disa herë më shumë se tatim fitimi.
Renta vendoset mbi 10 përqind të shitjeve të përgjithshme dhe në raste të caktuara mund të arrihet në 50 përqind të fitimit.
E para kjo, se nuk kishte rentë.
Megjithatë t’ia njoh si meritë kompanisë që e pranoi si marrëveshje dhe nuk shkoi në arbitrazh sepse kishte një klauzolë.
Sepse renta u vendos në kuadrin e një nisme të OKB për industritë nxjerrëse.
Në atë kohë, Bankers ka qenë kompani joprivate, por publike e listuar në bursë.
A e ka paguar?
Po të garantoj që edhe më shumë, gjer në 200-250 milionë në vit gjatë kohës që kemi qenë ne në pushtet.
Jo vetëm kaq, por ka paguar me detyrim taksën e karbonit që e shtuam, ka paguar, e them këtu, në vlerësimin tim, në mënyrë të padrejtë, ka paguar taksën e holluesit, të cilin e paguante dy herë. Njëherë kur injektohej dhe pastaj kur nxirrej.
Po kryeministri nuk ishte ai që ishte sot dhe nuk i ndërhynte autoritetit tatimor.
Tani të lutëm shunë, emra mos përmend këtu se këtu kanë vlerë shifrat. Ato kanë paguar qindra milionë dhe ata që mohojnë këtë, meritojnë tjetër gjë.
Janë librat e tatimeve dhe nuk veprohet në këtë mënyrë se është banditizëm.
Ajo ka qenë kompani publike kanadeze e listuar në bursë dhe ka pranuar dhe ka paguar rentën.
Dhe renta e saj është e barabartë me 70 përqind të rentës të gjithë industrisë nxjerrëse në Shqipëri.
Ajo ka paguar 1500 familje me rroga fare të mira dhe me sigurime shoqërore.
Ajo ka paguar pagesën koncesionare që shkon në qindra milionë euro naftë për Albetrolin.
Se çfarë ka bërë pas largimit tonë, nuk di unë.
Por ata që duan të barazojnë, ata kanë interesa nga më të pistat në këtë aferë dhe ndaj sillen në këtë mënyrë.
Gjatë periudhës tonë ajo ka paguar qindarkë për qindarkë.
Ka pasur njëherë problem me taksën e karbonit, e kemi detyruar dhe e ka paguar.
Dhe një gjë, është e turpshme që për interesa mafioze të bëhen skupe mediatike.
Ju jeni gazetarë investigative, ju i keni tatimet e hapura, shkoni dhe merrni librat e tatimeve dhe shihni sa kanë paguar në mënyrë që të mos përdoret media si shpatë gjobëvënëse.
Prokuroria ka bërë një deklaratë, unë u them shqiptarëve se për periudhën 2006-2013, prokuroria ka mashtruar në mënyrën më të turpshme sepse kompania ka paguar qindra milionë euro në periudhën që unë flas.
Dhe ka paguar në atë periudhë 60-70 përqind të të gjithë rentës së industrive nxjerrëse në Shqipëri.
Por kur ka prokurorë gjobëvënës si ai, që mashtron publikisht, është tjetër punë.
Për periudhën tjetër, nuk di.
Pas vitit 2013, nuk kam asnjë të dhënë por nuk besoj që mund të arrinte gjer në atë shkallë sa disa ministra rresht të mos lejonin të paguanin asnjë qindarkë. Më duken përralla këto.
Por në fakt është zinxhiri i drejtorëve të Tatimeve, të cilët kanë firmosur çdo krim fiskal të “Bankers Petroleum” nga viti 2013 deri në vitin 2024.
Briseida Shehaj, e para në listë, ishte në krye të tatimeve nga tetori 2013 deri në gusht 2016 dhe gjatë mandatit të saj janë miratuar të paktën tre bilance vjetore të falsifikuara me një mashtrim fiskal prej 138 milionë eurosh. Nën udhëheqjen e saj u anuluan gjashtë hetime tatimore ndaj kompanisë dhe u shkarkuan tetë inspektorë që guxuan të kërkonin verifikim.
Pas saj vjen Vasilika Vjero, në krye të Tatimeve nga gushti 2016 deri në mars 2019, gjatë një periudhe kur “Bankers” raportonte humbje prej 15-20 milionë eurosh në vit dhe askush nuk verifikonte vërtetësinë e shifrave. Për kontributin e saj në lehtësimin e evazionit, Vjero u shpërblye duke u emëruar zv/ministre e Financave dhe më pas këshilltare për koncesionet.
Delina Ibrahimaj e pasoi, duke mbajtur detyrën nga korriku 2019 deri në shtator 2021. Gjatë kësaj kohe “Bankers” vazhdoi me evazionin, pa asnjë kontroll tatimor, ndërsa Ibrahimaj u promovua ministre e Financave dhe më pas ministre për Sipërmarrjen.
Po ashtu edhe Ceno Klosi, në detyrë nga tetori 2021 deri në qershor 2024, i cili jo vetëm që nuk kreu asnjë hetim ndaj “Bankers”, por fshiu të dhënat tatimore të viteve 2015-2020 dhe në këmbim u ngrit zv/ministër i Energjisë dhe sot është deputet i PS në Fier. Pra, ai që duhej të kontrollonte, u kthye në përfitues direkt të votave dhe financimeve të kompanisë që duhej të ndëshkonte.
Asnjëri prej këtyre drejtuesve nuk u përfshi në dosjen penale të hetuar nga Prokuroria e Fierit. Asnjë akt, asnjë masë. Dhe për më tepër, është absurde që nën hetim nuk janë as vetë kinezët që morën kontrollin e koncesionit, përveç administratorit të vetëm.