Arrestimi i Erion Veliajt: Hileja e Ramës për ta mbajtur nën kontroll

 

  A po fryn era e ndryshimit, apo një furtunë tjetër mashtrimi?

Naim Noka

Edi Rama është mjeshtër i lojërave të errëta. Në politikën shqiptare, ku gjithçka duket e pamundur, ai gjithmonë gjen një rrugë për të dalë mbi ujë, duke sakrifikuar këdo që i afrohet shumë të vërtetës. Rasti më i fundit? Erion Veliaj – “djali i artë” i Partisë Socialiste, njeriu që dikur shihej si trashëgimtari natyral i Ramës, përfundon në pranga. Jo për drejtësi të vërtetë, por për të mos e lënë të largohet e të kthehet në një Ahmetaj të dytë, duke zbuluar sekrete që mund të rrëzojnë gjithë skenën e prapaskenave politike.

Rama është i njohur për këtë strategji të ftohtë dhe të kalkuluar: kur një bashkëpunëtor bëhet i rrezikshëm, ai e sakrifikon për të mbajtur veten të pastër. Veliaj, që për vite ka qenë fytyra e reformave fasadë dhe projekteve të dyshimta të betonizimit të Tiranës, u lejua të veprojë i lirë mjaftueshëm për të krijuar një mal me skandale që Rama tani e përdor si justifikim për të pastruar emrin e tij.

Por, kjo nuk është lëvizje e thjeshtë për “drejtësi”. Kjo është një hile e pastër politike, një mënyrë për të kontrolluar Veliajn nga afër dhe për të siguruar që ai nuk do të flasë. Veliaj di shumë. Nga projektet e dyshimta në sheshin “Skënderbej” e deri tek betonizimi i Parkut të Liqenit, çdo hap i tij ka qenë i orkestruar nga një makineri më e madhe – një makineri që Rama e drejton me dorë të hekurt.

Ndërkohë, në anën tjetër të skenës, po ndodh një zhvillim që askush nuk e priste: fushata e opozitës po drejtohet nga njeriu që ngriti Donald Trump në pushtet,Chris LaCivita, konsulenti politikan i Republikanëve amerikanë, do të  drejtojë fushatën e opozitës  në fitoren e zgjedhjeve të 11 majit 2025 në Shqipëri. LaCivita, shoqëria e të cilit për fushatën e Donald Trump të 2024 ka fituar 19,2 milionë dollarë e quajti Ramën kukull të Soros. Nuk dihet sa dhe si eshtë bërë kontrata me Chris LaCivitën, kjo mbetet për tu parë në të ardhmen, rëndësi ka që fushata filloi sot nga SPAK-u në bashkinë e Tiranës  dhe Chris LaCivita nga zyra e Berishës.

Sot kjo lëvizje  ka trazuar   llogaritë politike  të Ramës në Tiranë. Nëse më parë opozita ishte e përgjumur, e paaftë për të sfiduar seriozisht Ramën, sot kjo e fundit ka fituar  në tavolinë nga SPAK, gjysëmbetejën me arrestimin  e Erion Veliajt. Një fitore morale shkon për Belind Këlliçin i cili ka meritën në zbulimin me fakte të korrupsionit epokal në bashkinë e Tiranës. Tani duket qartë si drita e diellit që 50 mijë vota diferencë ishin produkt i bandave dhe hajdutëve në të gjitha nivelet e pushteteve.

Sot duket se opozita   po fut në lojë një armë të re: retorikë të ashpër, strategji të pamëshirshme dhe një mesazh të qartë për ndryshim total.

Opozita  e Berishës nuk po luan më sipas rregullave të vjetra. Këshilltari i ri LaCivita, nuk është këtu për të bërë kompromise – ai është këtu për të fituar. Një stil agresiv, i pandalshëm, që mund të çojë në përmbysjen e Ramës.

Ajo që po ndodh në Shqipëri nuk është më thjesht një luftë mes qeverisë dhe opozitës – është një betejë për mbijetesën e një sistemi të kalbur, që për vite ka manipuluar, grabitur dhe shkatërruar besimin e qytetarëve duke gjunjëzuar kombin në kuptimin e vërtetë të fjalës. Arrestimi i Veliajt është vetëm fillimi. Pas tij, mund të ketë të tjerë. Por pyetja është: Kush do të përfundojë në qeli  vërtet dhe kush do të shpëtojë, duke negociuar fatin e të gjithëve për  pazare politike?

Në këtë fushatë, çdo lëvizje ka rëndësi. Dhe ndërsa “era e ndryshimit” po fryn në Tiranë, qytetarët duhet të jenë vigjilentë: A do të jetë ky ndryshim i vërtetë apo një tjetër mashtrim i veshur me retorikë populiste?

Një gjë është e sigurt: Tirana ka hyrë në stuhinë e saj më të madhe politike. Rama ka filluar të sakrifikojë ushtarët e tij, opozita po ngre flamurin e betejës finale, ndërsa qytetarët po presin një shans për të vendosur të ardhmen e tyre.

Era e ndryshimit po afrohet – ndoshta më e fortë dhe më e pamëshirshme se çdokush e priste.

 

Publikuar nga Publik Media