Arrestohen tre të rinj që shisnin bileta të Shqipëri-Serbi

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Attention”, duke goditur një rast të rishitjes së paligjshme të biletave për ndeshjen e futbollit Shqipëri–Serbi, e cila do të mbahet më 7 qershor.

tifoze

Hetimet nisën pas informacioneve të siguruara se në një profil në rrjetin social Instagram, tregtoheshin bileta me çmime shumë herë më të larta se ato të përcaktuara nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Mësohet se biletat shiteshin nga 250 deri në 500 euro, ndërsa për sektorin VIP, çmimi arrinte deri në 1500 euro për një biletë.

Si rezultat i operacionit, janë arrestuar tre shtetas: Ledion Metallari 34 vjeç, Arbi Topi 23 vjeç dhe Ilir Lokaj 24 vjeç. Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë E. Sh. 25 vjeç dhe një i mitur 16-vjeçar.

Të dyshuarit do të hetohen për veprat penale “Manipulimi i tregut” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale.

Publikuar nga Publik Media