Z. Beqir Ajazi (1920-2017), i cili vitet e lirisë së tij ia përkushtoi dëshmisë për historinë. Tri ndër veprat e tij, “Nga shkaba me kurorë te drapri me çekan” (2000, 2007), “Nuk m’u nda burgu i Burrelit” (2002) dhe “Sure Ajazi ky kreshnik i kohës sonë” (2003), përbëjnë trilogjinë memorialistike e cila është njëherësh edhe vepër e gjithë personalitetit të tij.
Me këtë trilogji të Kujtimeve ai ua shpagoi doganën jo vetëm bashkëvuajtësve të tij të burgjeve dhe internimeve, por edhe historianëve të së ardhmes, që kanë nevojë për material krud, për autenticitet, për sinqeritet, jo për zbukurime. Si një larmi e tërë mund të përshkruhet tematika e Kujtimeve të tij, veçan për dy “epoka”: atë të Shqipërisë mes dy Luftërash botërore dhe atë të diktaturës “komuniste”.
Mund të marrësh në Kujtimet e tij njoftime të rralla, ndonjëherë unike, më së pari për vetë jetën jashtë të zakonshmes të autorit, mandej për bashkëkohësit e tij të larushitur: katundarë, aristokratë të shkartisur me borgjezë si të vizatuar nga një Molière shqiptar, liceistë dhe mësues të liceut, – kujtimet për Enver Hoxhën përbëjnë fashikull më vete, – gazetarë, shkrimtarë, gra të njohura të kohës përfshi edhe publiket, politikanë, luftëtarë, zogistë dhe antizogistë, komunistë dhe antikomunistë, legalistë dhe antilegalistë, misionarë anglezë, rusë të bardhë, taxhikë.
Një tipologji e tërë personash dhe personazhesh të kaluar nëpër burgjet e diktaturës i gjen aty të vizatuar me tone nga më tragjiket te më komikët. Të fshehta të historisë, makinacione, intriga, pa përjashtuar edhe aventura jataku. Dhe një shije bote shqiptare “të nëntëdhjetenëntave”, që të tërheq ta lexosh si roman.
Nuk ka kursyer asnjeri në Kujtimet e tij: e ka pohuar dhe vetë gjithë krenari. Siç nuk ka kursyer as veten. Z. Beqir Ajazi u dëftua nga ata memorialistë që mund të jenë miq të Platonit, por pëlqejnë më shumë të jenë miq të së vërtetës. E respektoi edhe këshillën e Tacitit për të shkruar pa mllef e ligësi, doemos kur mundi dhe me sa mundi.
Sepse a mundet vallë të distancohet prerazi nga njerëzit dhe ngjarjet një personazh historik të cilit njerëzit i patën bërë padrejtësi të mëdha, ndërsa ngjarjet ia sollën jetën së prapi? Që është i pozicionuar, afërmendsh që është. Por të thuash për kujtimet në je apo nuk je dakord me to nuk ka kurrfarë kuptimi. Memorialistika përfaqëson tekstin më individual dhe njëherësh më subjektiv që mund të ekzistojë në fushën e të shkruarit; kujtimeve nuk u duhet të qenët tënd si lexues në një mendje ose jo me autorin.
Ata që qenë me fat dhe e njohën z. Beqir Ajazi, jo vetëm si shkrimtar por edhe si njeri, kanë të drejtën të hamendësojnë edhe se si do t’i kishte vajtur filli karrierës së tij nëse nuk do të qe përfshirë në vorbullën e konfliktit të madh të Luftës së Dytë Botërore. Do të kishte gëzuar, padyshim, karrierën e një gazetari dore së parë. Por edhe të një mjeshtri përkthimi të letërsisë botërore. Do të ishte pranuar si “Kalorës” në Urdhrin e Meritës të Republikës Franceze jo në vitet ’90, kur u pranua, por shumë më herët.
Qysh 23-vjeçar kishte përkthyer dhe botuar tanimë dy kryevepra të letërsisë franceze: Joseph Bédier, “Romani i Tristanit e Izotës” (Mesagjeritë Shqiptare 1944), dhe François Coppeé, “Henrietta” (Ismail Mal’ Osmani 1944). Rrallëkujt besoj t’i ketë rënë në dorë një libër i tiji i vogël me titull kërshëror “Rrjekje mbi foljet dhe drejtshkrimin e shqipes” (2016), më i fundit i dalë prej pene së tij.
Kam prandaj bindjen që, kur të ulen e ta studiojnë në tërësi veprën e tij, zotit Beqir Ajazi do t’i vlerësohen edhe cilësitë prej shkrimtari, ato të cilat edhe në tekstet memorialistike i dallohen sheshit: gjuha e zhdërvjelltë me pasuri të rrallë leksikore dhe veçan lokucionesh, stili gjithë spontanitet, natyrshmëri, plot vervë siç i thonë francezë dhe ne nuk kemi si ia themi, lirizmi i herëpashershëm, një humor à la Dickens, ironia etj.
Të kisha vend këtu do të kisha zgjedhur të riprodhoj si shembull njërin nga portretet e vizatuara prej tij në Kujtimet, atë për mikun e vet të rinisë, lordin e ardhshëm Julian Amery: të dy njëzetvjeçarë, ndërsa shëtisin “dorë për dorë” diku mes pyjesh të humbura nga ato në të cilat nuk ka rënë sëpata, dhe për çfarë kuvendojnë? Për letërsitë e vendeve të mëdha të Europës: franceze, gjermane, angleze, italiane e latine, deri edhe ruse.
Mirëpo ky imi nuk është një shënim “in memoriam”, sepse z. Beqir Ajazi nuk është thjeshtuar ende për t’u “kujtuar”. Përmbyllja e jetës së një autori të rëndësishëm Kujtimesh – ia kam vendosur një herë ato përkrah Kujtimeve të At Zef Pllumit – detyron të ndalesh në këtë stacion të qenësishëm të marrëdhënieve të personazhit historik me historinë.
Një çerek shekulli mbas rënies së diktaturave “komuniste” në Europën lindore sa kujtesa, aq edhe historia e diktaturave në fjalë mbeten nën shenjën e kontroversës. Nga njëra anë historia e diktaturës “komuniste” trajtohet më së shumti duke u përqendruar në denoncimin e krimeve të saj. Nga ana tjetër, sidomos në qarqe kulturore të së majtës, diskutohet i ashtuquajturi “modernitet i komunizmit”. Kam dëgjuar diskutime të tilla me veshët e mi.
Kujtesa e diktaturës rezulton sot e shkimur dysh edhe më shumë se paradigmat historike në të cilat vendosen në përgjithësi regjimet diktatoriale. Nostalgjikët e diktaturës afirmohen në hapësirën publike, gjatë viteve të fundit, sidomos nëpërmjet trashëgimtarëve të saj të “gjeneratës” së dytë. Nuk përbën ngushëllim që edhe sondazhe që kryhen në vendet e Europës lindore dëftojnë që të rinjtë paskan prirjen ta përfillin epokën e diktaturës “komuniste” si një periudhë më së shumti pozitive.
Denoncuesit e krimeve të komunizmit, shumë aktivë menjëherë mbas rënies së komunizmit, duket sikur po zhduken dalëngadalë pa arritur ta transmetojnë më tej flakën e misionit, me përjashtime të pakta. Një kujtesë ironike e komunizmit bëhet edhe ajo gjithnjë më e pranishme në hapësirën publike. Nëse ata që provuan komunizmin, të cilin vetë shpesh e kam vënë ndër thonjëza, ndahen në nostalgjikë të tij dhe denoncues të tij, të rinjtë e “epokës së artë” enverhoxhiste kanë zgjedhur autoironinë për ta vështruar atë periudhë. Ata të lindurit rreth vitit 1989, pa pasur kujtime të vetat, pluskojnë në një rrymë që po e quaj postmemoriale. Opinionet e tyre, si edhe kujtesa e tyre për “komunizmin”, ndikohen nga familja ose nga grupi social në të cilin bëjnë pjesë, por edhe nga sistemi arsimor dhe, afërmendsh, nga media.
Edhe këtë ndërkohë kontroverse z. Beqir Ajazi e përjetoi, ndonëse nuk kishte si ta përshkruante veçse tërthorazi në Kujtimet e tij. Më ka qëlluar të ulem e të kuvendoj me të më se një herë për ngjarje që kishte përjetuar, për personazhe historikë që kishte njohur, me dëshirën time – të mbrapshtë por të kuptueshme – për të shkapërcyer tej Kujtimeve të shkruara e të botuara. Kishin luftuar në fronte të ndryshme ai dhe im atë, ndërsa ishin njohur në burg, prandaj ma kishte ënda ta ngacmoja me “frontin” e kundërshtarëve të tij.
Nuk dallova asnjëherë që kjo t’i bënte ndonjë përshtypje në marrëdhëniet e mirëkuptimit. “Z. Aurel Plasari me dashuri atrore” më ka shkruar në njërin nga librat që më ka dhuruar, “Tristani dhe Izota”. E kisha shtyrë, ç’është e vërteta, që ta ripunonte e ta ribotonte, sikundër bëri. Le të më ndjejë që e përmend një kushtim të tillë, por mendoj që shërben për të hedhur edhe një grimë më shumë dritë mbi karakterin e një fisniku të dalluar për sqimën e tij si ai.
Majlinda Bregu
Adieu ‘Gjysh’!
Që ditën e parë kur hyra në shtëpi, më quajti ashtu siç do të më quante edhe për 22 vitet në vazhdim: nuse. Refuzonte të më thërriste në emër, kokëfortë si një shqiptar i vërtetë.☺️
As unë se thirra dot kurrë në emër, e aq më pak si vjehërr. Për mua Beqir Ajazi ishte gjithmonë gjyshi, siç e thirrën fëmijët e mi.
Sa herë bëja habi se si një njëri që kishte parë vdekjen e të vëllait 19 vjeçar në Kryengritjen e Postribës, pushkatimin e të atit 53 vjeç, në 1945 si një ndër figurat më influente të nacionalizmit në Shqipërinë e Mesme, djegie shtëpie e rrëmbim pronash, shto dhe 15 vitet e burgimit e 15 të tjera të internimit të tij, jetoi 97 vjet, me një mendje e vullnet për të shkruar e përkthyer.
Antikomunist i betuar, që respektonte Republikën, por me nostalgji për Monarkinë.
Iku me merakun e madh për Shqipërinë që s’u dekomunistizua dot asnjëherë dhe ndaj meje me vërejtjen elegante të ish liceistit të Korçës e një frankofoni par excellence, se mua nuk më falej të mos flas frengjisht?
Të paktën nesër desh Zoti, do ta përcjellim si të parin ndër të vetët, që e la këtë botë natyralisht…
Adieu ‘Gjysh’