Autopsia e Demokracisë

Klodian Tomorri

Pak ditë para zgjedhjeve, në media u publikua një lajm se dy kandidatë në Durrës dhe Elbasan ishin nën vëzhgim nga SPAK, pasi dyshohej se mbështeteshin nga krimi. Lajmi përmendte kandidatët Arkend Balla dhe Sara Mila.

I pari doli deputeti më i votuar i Durrësit, me mbi 18 mijë e 400 vota. Për krahasim, Alban Xhelili, një deputet shumë i nderuar socialist, mori vetëm 1350 vota.

E dyta u shpall deputetja më e votuar e Elbasanit, me mbi 18 mijë e 600 vota, zyrtarisht. Madje ka zëra që thonë se Sara Mila mblodhi rreth 30 mijë vota, por më pas ia shpërndanë që të mos binte shumë erë puna.

Një nga figurat e larta të Partisë Socialiste më rrëfente sot se, nëse Sarën e njohin më shumë se 1 për qind e atyre që e kanë votuar, kjo do të ishte mrekullia e tetë e botës. Nejse.

E gjithë kjo është një dëshmi e fortë se sa mirë e bëri punën SPAK-u për të mbajtur larg krimin nga zgjedhjet. E megjithatë, ky është halli më i vogël. Halli i vërtetë është se këto rezultate janë, në një farë mënyre, autopsia e listave të hapura dhe e vetë demokracisë. Ky është problemi real.

Durrësi dhe Elbasani nuk janë shembujt e vetëm, por sinjalet e orientimit masiv të votës nga të fortët duken gjithandej nëpër Shqipëri.

Njerëzit, me të drejtë, kërkojnë lista të hapura dhe demokraci direkte. Por ajo që ndodhi me votimin preferencial në këto zgjedhje e vë Shqipërinë përballë një rreziku tjetër madhor: me lista të hapura, mafia dhe krimi mund të të marrin Parlamentin brenda dy legjislaturash.

Ndoshta do t’u duhen dy raunde zgjedhjesh sa t’i marrin dorën. Por pas dy mandatesh, grupi më i madh parlamentar i Kuvendit do të jetë koalicioni i krimit.

Ky është një problem madhor. Sepse ngre një pikëpyetje të madhe: a mund të jetë demokracia e pajtueshme me një mjedis ku votohet masivisht me komandë?

Dikur Berlusconi paralajmëroi udhëheqësit e Perëndimit që të mos e ngacmonin Gaddafin, sepse do hapnin bela të madhe — sipas tij, Libia ishte një popull i papajtueshëm me demokracinë. Koha i dha më shumë të drejtë Berlusconit sesa atyre që rrëzuan Gaddafin.

Por Libia nuk është halli ynë. Halli ynë është ky: a mund të mbijetojë demokracia te një popull që mendon me komandë dhe voton me sy mbyllur?

Ndoshta Enver Hoxha kishte nuhatur diçka.

Publikuar nga Publik Media