Avokati ngre alarmin: Po rriten të prekurit me SIDA në burgje!

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

“Të burgosurit e sëmurë po vdesin në duart e gardianëve”

Një raport mbi vdekjet në institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri ka nxjerrë në pah një situatë tejet shqetësuese. Sipas të dhënave, në periudhën janar 2020 – shtator 2025 kanë humbur jetën 134 të burgosur, ndërsa në tre muajt e parë të vitit 2026 janë regjistruar edhe 5 viktima të tjera, duke e bërë bilancin edhe më alarmant.

Avokati Saimir Vishaj theksoi nevojën urgjente për rishikimin e kuadrit ligjor, konkretisht për rikthimin e dispozitës që mundëson lirimin e të dënuarve që vuajnë nga sëmundje të rënda.

Ai tregoi se ka pasur raste kur vetë i është drejtuar Gjykatës për shuarjen e masës së dënimit për persona në gjendje kritike shëndetësore, por kërkesat nuk janë marrë parasysh, edhe kur kanë qenë të mbështetura nga raporte ekspertësh, duke çuar në pasoja fatale për të dënuarit.

Një tjetër problem serioz që ai ngriti lidhet me kushtet higjieno-sanitare në burgje, të cilat sipas tij po përkeqësohen dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, përfshirë edhe SIDA-n.

“Personat në gjendje të rëndë shëndetësore duhet të lirohen. Janë liruar njerëzit e shëndetshëm, ata me sëmundje të pashërueshme vdesin në duart e gardianëve. Të përgatitet një raport për kthimin e dispozitës për lirimin e personave që vuajnë nga sëmundjet e rënda.

E kam vënë re gjendjen e tyre, që nuk kanë pasur shpëtim, dhe i jam drejtuar Gjykatës për shuarje dënimi, por Gjykata nuk i ka besuar ekspertëve që kanë thënë ka dhe dhjetë ditë jetë. Mendoj se ajo shkolla e magjistraturës nuk duhet të jetë veç në libra, por t’i çojnë një ditë të shikojnë gjendjen e të burgosurve apo të paraburgosurve dhe pastaj të vendosin, se për të lexuar libra jemi të gjithë por puna është se çfarë ndodh në terren. Jemi vendi që të burgosurve vdesin në duart e gardianëve.

Është gjendje alarmante dhe duhet reagim. Edhe kushtet higjieno-sanitare janë të rënda. Burgjeve duhet t’u kthehet normaliteti. Kemi që në dhjetor që i gënjejmë të burgosurit për një amnisti. SIDA po pushton burgjet, numri i të prekurve me SIDA po rritet me hapa galoponte”, tha ai në një intervistë për Top News .

Publikuar nga Publik Media