Në skenë Ridvan Bode

Pas Behar Çukajt të naftës, Leonidha dhe Artur Çobos, Idajet Ismailajt të Albstarit dhe hajdutëve kinezë, zbulohet një tjetër bashkëpunëtor i Bankers Petroleum, në vjedhjen e dhjetëra milionë eurove, përmes komtratave dhe faturave fiktive, me qëllim fryrjen e shpenzimeve, devijimin dhe kamuflimin e fitimeve, zhvatjen me rimbursimin e TVSH, pastrimin e parave etj. Në skenë del bzinesmeni Baki Sinaj, i cili ka përfituar miliona euro nga kompania mafioze me natyrë kriminale Bankers Petroleum.

Baki Sinaj është themelues dhe administrator i kompanisë Q. Sinaj, bashkë me të birin Fatos Sinaj, me objekt transportimin e materialeve të lëngshme e të ngurta, materialeve të ndërtimit, materialeve industriale dhe ushqimore etj., me zyra qëndrore në Zharëz të Fierit.

Kompania e Baki dhe Fatos Sinajt është një nga subjektet e kontraktuara nga Bankers për kryerjen e shërbimeve të transportit. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Fierit dhe një raporti auditues, Bankers ka bashkëpunuar me firmën Q. Sinaj me qëllim zhvendosjen dhe kamuflimin e fitimit, shmangien e taksave, përfitimin nga rimbursimi i TVSH dhe pastrimin e parave. Vetëm gjatë vitit 2011, Bankers ka kaluar në llogaritë e kompanisë Q. Sinaj 2.4 milionë euro.

Ka dyshime të forta se një pjesë të parave që Baki dhe Fatos Sinaj përlanin nga Bankers i kapitalizonin në kompaninë e tyre. Dokumentet tregojnë se Baki dhe Fatos Sinaj kanë rritur kapitalin e kompanisë pas vitit 2011, ndërsa befas e kanë ulur ndjeshëm pas vitit 2019.


Në vitin 2020, Baki Sinaj ia ka dhuruar aksionet e tij të kompanisë nipit Qemal Sinaj, asokohe 20 vjeç. Aktualisht pronarë të kompanisë që rezulton pjesë zhvatjes së pasurisë nëntokësore të shqiptarëve janë Fatos dhe Qemal Sinaj, babë e bir. Baki Sinaj rezulton administrator.


(Bakiu, i biri Fatosi dhe i biri i Fatosit, Qemali)
Pjesë e të njëjtës skemë është edhe Idajet Ismailaj i Albstar-it, një nga ‘starët’ e pastrimit të parave, vjedhjes me tendera dhe ndërtimit në zona të mbrojtura. Vetëm gjatë vitit 2011, kompania e Ismailajt ka përfituar 22 milionë euro nga Bankers në funksion të skemës së fryrjes së shpenzimeve.

Pjesë e vjedhjes rezulton edhe ‘mamuthi’ i naftës Behar Çukaj me kompaninë e tij me natyrë mafioze Bolv Oil, përfitues edhe i dhjetëra milionë euro para publike. Vetëm gjatë vitit 2011, Bankers ka kaluar në llogaritë e kompanisë Bolv Oil mbi 10 milionë euro.

Paratë e paligjshme që ka përfituar nga skema zhvatëse e Bankers, Behar Çukaj rezulton se i ka pastruar në ndërtim, mbi prona të grabitura. ‘Tano Karidi’ i Bankersit është padyshim Leonidha Çobo, i një personazh i strukturuar në nivelet e bosëve të mafies.

Hetimet kanë treguar se Çobo ka vjedhur me fatura fiktive mbi 100 milionë euro, në bashkëpunim me hajdutët kinezë të Bankers. 100 milionë euro është një shifër e frikshme për realitetin shqiptar, por është modeste për ‘gropën zhvatëse’ të Bankerit, kompani e cila ka përfituar të paktën 5.5 miliardë euro.
Të lartpërmendurit janë vetëm maja e ajsbergut. Nuk mund të realizohet vjedhja më e madhe në historinë e Shqipërisë pa implikimin e kokave të politikës dhe oligarkët. Nëse SPAK do të ketë vullnet të marrë në dorë këtë dosje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, fijet e vjedhjes së 5.5 miliardë euro, të çojnë vetëm lart dhe në disa drejtime.
Prapaskena ka indicie të forta se paratë e vjedhura janë shndërruar në vila, resorte, biznese, kulla dhe luks për disa pushtetarë, ish pushtetarë të lartë dhe oligarkë. SPAK mjafton të hetojë një fakt. Vetëm në një rast, Bankers i ka kaluar 1.5 milionë euro shtetasit Denis Alimehmeti, ndërsa ky i fundit ia ka kaluar paratë çerrit Klard Flaga, i cili më pas i qarkullonte paratë me kompani fantazmë dhe në offshore, duke përfunduar në xhepat e pushtetarëve të korruptuar.

Nga këqyrja e lëvizjeve financiare, rezultojnë pagesa nga kompanitë fantazmë të Klard Flagës drejt llogarive të djalit të Ridvan Bodes. Çerri Flaga, që i ngarkuan 1.5 milionë euro në kurriz, është vetëm një nga rastet. SPAK të mos merret me kanale, keca, arka peshku dhe brekë, por të fokusohet tek vjedhja më e madhe në histori. Vijon me emra befasues!
Bilanci
Një hetim i Prokurorisë së Fierit ka zbuluar se Bankers Petroleum, gjatë dy dekadave të operimit në Shqipëri, ka përfituar 5.5 milardë euro nga shitja e naftës. Kompania ka fryrë shpenzimet me faturime fiktive, për të mos paguar taksa. Bosët e Bankers, fillimisht kanadezët dhe më pas kinezët, kanë bërë letrat sikur kanë dalë me 117 milionë humbje. Përmes shpenzimeve të rreme, Bankers ka përfituar edhe dhjetëra milionë euro nga buxheti i shtetit për rimbursimin e TVSH-së.
Zhvatja e pasurisë nëntokësore të Shqipërisë është disa herë më e madhe, duke përfshirë kontrabandën e naftës, ndotjet dhe shkatërrimin e nëntokës së Shqipërisë përmes shpërthimeve me fuqi të madhe, të palejuara dhe me pasoja shkatërrimtare, me qëllim maksimalizimin e nxjerrjes së naftës. Eskpertët e konsiderojnë vjedhjen më të madhe në historinë e kombit shqiptar.
Të gjitha të dhënat flasin për një organizatë kriminale. Krerët e organizatës nuk kanë vjedhur vetëm, por në bashkëpunim me ‘ustallarët’ shqiptarë dhe të huaj, gjithnjë në koordinim të heshtur me qeveritë./Prapskena