Balluku 10 mijë euro në muaj për larjen e Audit A8 në lavazh

Lavazh qeveritar me parfum luksi mbi varfërinë e shqiptarëve

Në Shqipërinë e qeseve me ilaçe të lëna në sportelet e farmacive për mungesë fondesh, në Shqipërinë e urgjencave spitalore pa defibrilatorë, në Shqipërinë e pensionistëve që numërojnë qindarkat për të blerë një aspirinë, qeveria ka një tjetër emergjencë: larjen luksoze të makinave të saj.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka firmosur një tender që nuk lë vend për keqkuptime: 10 mijë euro në muaj për larjen e makinave qeveritare. Jo, nuk bëhet fjalë për ndonjë flotë ndërkombëtare, por për një duzinë makinash që do të përkëdhelen me solucion special, fshesë me kompresor, lavazhe të dy turneve dhe tapiceri të larë 10 herë në vit.

E gjithë kjo skemë absurde luksi, e shpallur më 28 mars 2025, e zhvesh pushtetin nga çdo ndjenjë përulësie e ndjeshmërie ndaj realitetit të qytetarëve të vet. Kërkesat për tenderin janë më shumë si kushtet për një resort spa sesa për një lavazh: ambient pritjeje për 4 makina, maksimum 30 minuta pritje, larje brenda-jashtë me solucion (jo furçë!), dhe sigurisht, jo më larg se 2 km nga zyra e ministres.

Ndërsa qytetarët lajnë makinat me kova uji të mbledhur nga çezmat që nuk japin ujë gjithë ditën, makina e Belinda Ballukut, një Audi A8, do të lahet çdo dy ditë pune – plot 12 herë në muaj. Dhe ajo nuk është e vetme. Një Toyota, një Touareg, një Citroen, një Land Rover, një Rav4 dhe një Skoda do të jenë pjesë e këtij rituali absurd të larjes shtetërore me luks të shfrenuar.

Kjo është fytyra e pushtetit që ka humbur ndjeshmërinë. Është një pushtet që nuk pasqyron më popullin, por pasqyron vetveten në xhamat e shndritshëm të makinave të veta, të lara me kujdes, me solucion të personalizuar, si për të larë gjurmët e arrogancës, korrupsionit dhe shpërdorimit.

Në një vend ku ujërat e zeza derdhen në lumenj, ku mungojnë tamponët nëpër spitale, ku familjet e mesme jetojnë me një rrogë minimale, përdorimi i taksave publike për spa makinash është jo vetëm një provokim i rëndë, por një dëshmi e qartë e shkëputjes nga realiteti.

Ky nuk është një tender për larje makine. Është një manifest i shpërdorimit. Një tallje me dinjitetin e qytetarëve. Një akt i pastër i paturpësisë.

Lavazhi i Ballukut është metafora më e qartë e një qeverie që lan makinën, por jo ndërgjegjen. Dhe kjo e fundit, është shumë më e pistë.

Tenderi, i hapur më 28 mars 2025, parashikon që lavazhi të mos jetë më larg se 2 km nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, të punojë me dy turne (përfshirë të shtunat), të ketë ambient pritjeje për 4 makina dhe të garantojë që asnjë mjet nuk do të presë më shumë se 30 minuta në radhë. Po ashtu, lavazhi duhet të ofrojë pastrim brenda dhe jashtë për 30 minuta dhe të jetë i pajisur me leje mjedisore.

Dhe një detaj tjetër që nuk mund të lihet pa përmendur: “Larja të bëhet me solucion, jo furçë”, një kërkesë që të bën të dyshosh nëse bëhet fjalë për një automjet apo një objekt kulti që meriton trajtim spa.

Sipas specifikimeve të tenderit, vetëm Audi A8 i Belinda Ballukut do të lahet 12 herë në muaj, që do të thotë një herë në çdo dy ditë pune. Por nuk është vetëm kjo makinë që do të përfitojë nga ky shërbim “i veçantë”. Në listën e lavazhit janë përfshirë gjithashtu një Toyota, një Volkswagen Touareg, një Hyundai, një Citroen, një Land Rover, një Toyota Rav4, një Skoda dhe një tjetër Toyota.

Në total, një flotë e tërë makinash qeveritare do të ketë një ceremoni të përmuajshme larjeje, e gjitha e paguar nga taksat e qytetarëve, përfshirë ata që ankohen se nuk kanë ujë të rrjedhshëm në shtëpitë e tyre.

Si pjesë e tenderit, është parashikuar edhe larja e tapicerisë 10 herë në vit për tre vetura dhe shtatë fuoristrada. Sepse, sigurisht, makinat qeveritare meritojnë një kujdes të veçantë për tavanet, sediljet dhe tapetet e tyre.

Publikuar nga Publik Media