Balluku dhe Gjyli 142 MLN euro asfalt elektoral

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Gentian Gjyli, kanë hapur “thesin” e miliona eurove për projekte infrastrukturore pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të majit 2025. Kjo është një taktikë e vjetër, ku asfalti kthehet në një mjet politik për të siguruar vota dhe për të kënaqur oligarkët që financojnë fushatat elektorale.

Në mënyrë të koordinuar, Balluku dhe Gjyli kanë shpallur tenderë me vlera marramendëse, duke përfituar nga fondet publike për të forcuar pozitat e tyre politike dhe për të lidhur kontrata me kompani të mëdha ndërtimi, të njohura për lidhjet e tyre me qeverinë.

Miliona euro për rrugët e oligarkëve

Sipas dokumenteve të siguruara, vetëm në javët e fundit janë hapur këto tenderë:
• 61 milionë euro për rrugën Kashar – Vaqarr
• 33 milionë euro për ndërtimin e fazës së parë.
• 28 milionë euro për fazën e dytë.
• 1.2 milionë euro për supervizionin.
• 28 milionë euro për By Pass-in e Sarandës
• 20 milionë euro për fazën e parë.
• 8 milionë euro për fazën e dytë.
• 566 mijë euro për supervizionin.
• 25 milionë euro për zgjerimin e Tiranë – Durrës
• 24.5 milionë euro për ndërtimin.
• 500 mijë euro për supervizionin.

Në total, 142 milionë euro janë vënë në dispozicion të këtyre projekteve, të cilat përkojnë saktësisht me periudhën paraelektorale, një strategji e njohur për të siguruar ndikimin tek bizneset dhe për të manipuluar votuesit.

Rrugë për vota dhe për oligarkët

Në këto 35 vite pluralizëm, ndërtimi i rrugëve është përdorur si një mekanizëm elektoral, ku asfaltimi dhe tenderët publikë shërbejnë si monedhë shkëmbimi për vota. Skema e Ballukut dhe Gjyli nuk është ndryshe: publikimi i tenderëve të mëdhenj nuk është vetëm një mjet për të treguar “punë të madhe” para qytetarëve, por edhe një mënyrë për të afruar oligarkët e ndërtimit, të cilët më pas financojnë fushatën e pushtetit.

Tenderët e hapur në këtë periudhë janë një sinjal i qartë se fondet publike po shndërrohen në kapital elektoral për qeverinë. Puna nuk fillon për qytetarët, por për qëllime politike, ndërsa kontratat e majme shkojnë për kompanitë që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në financimin e fushatës së pushtetit.

Afera e radhës në zgjedhje?

Pyetja kryesore që lind është: janë këto para të dedikuara për zgjedhjet e 2025-ës? A është kjo një përpjekje për të ndikuar votuesit dhe për të forcuar aleancën me bizneset që më vonë do të shpërblehen me fonde publike?

Qytetarët e Sarandës, Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë kanë të drejtë të dyshojnë. Ky nuk është investim për ta, por një skemë politike e mirëorganizuar, ku qindra milionë euro shpërndahen si bonus për klientët e qeverisë në këmbim të mbështetjes për pushtetin. Ndërkohë, infrastruktura vazhdon të vuajë mungesën e cilësisë dhe kostot e projekteve mbeten gjithmonë shumë më të larta se realiteti i tregut.

Ky është modeli qeverisës i Belinda Ballukut dhe Gentian Gjyli, ku rrugët janë jo vetëm arteriet e trafikut, por edhe korridoret kryesore për manipulimin elektoral dhe pasurimin e oligarkëve.

Publikuar nga Publik Media