Balluku e tund belin në valle luksi me “Kelly 18” 1200 euro

Jona Dusha

Ndërsa shqiptarët luftojnë çdo ditë për të mbushur shportën e konsumit me produktet më bazike dhe presin mëshirën e radhës në formë “ndihme qeveritare”, në sheshin përballë Bashkisë së Tiranës, ndodhte një skenë groteske: zëvendëskryeministrja Belinda Balluku tundej mes ritmeve të fushatës, me një buzëqeshje që shkëlqente në sinkron me rripin luksoz “Kelly 18” të firmës Hermès në bel – një aksesor prej 1,200 dollarësh, sipas çmimit zyrtar të markës.

Po, nuk keni parë keq: është më shumë se dy paga minimale në Shqipëri. Ajo Shqipëria që Eurostat e rendit ende të fundit në Europë për fuqinë blerëse. Ajo Shqipëria ku pensionistët marrin më pak se 100 euro në muaj dhe mjekët e infermierët emigrojnë me shpresën për një jetë pa poshtërim.

Ndërkohë, zyrtarët tanë, të vetëshpallur “shërbëtorë të popullit”, parakalojnë nëpër sheshe të veshur me modë luksoze – të një bote tjetër, të një realiteti që nuk përputhet aspak me jetën e qytetarëve që përfaqësojnë. Të një bote ku rripat Hermès, çantat Dior dhe xhaketat Chanel janë të zakonshme si buka në tryezën e një familjeje shqiptare që jeton me ndihmë ekonomike.

Balluku nuk është e vetmja. Ministre të tjera të kabinetit, përfshirë emra si Ogerta Manastirliu dhe Elisa Spiropali, janë fotografuar më herët me çanta të Louis Vuitton, syze Gucci apo këpucë që kalojnë rrogën mesatare mujore në vend.

Kjo nuk është më çështje stili. Është çështje morali, etikë dhe përgjegjësie publike. Kur zyrtarët e shtetit ndahen nga realiteti i qytetarëve të tyre, kur e shfaqin pasurinë me cinizëm në një vend që mbytet në borxhe dhe emigrim – kjo quhet provokim. Jo përballë opozitës, por përballë një kombi të lodhur dhe të nëpërkëmbur.

Këta janë ata që vendosin për buxhetin tënd. Për pensionin tënd. Për ndihmën tënde ekonomike. Për taksat që ti paguan me gjak e mund, ndërsa ata tundin Hermes-in përpara syve të një populli që mezi mban pantallonat me rripin e zakonshëm. Dhe ndoshta… të tejpërdorur.

Kjo është Shqipëria e “Rilindjes” – një rampë mode për qeveritarët dhe një rrip varfërie për popullin.

Publikuar nga Publik Media