Banka Botërore: Shqipërisë i duhen më shumë se 50 vjet për të arritur nivelin e BE-së

Shqipërisë do t’i duhen afro dy dekada për të kaluar në klasifikimin si vend me të ardhura të larta, sipas raportit të pranverës të Bankës Botërore për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore (ECA), që përfshin 11 vende në zhvillim nga Azia Qendrore dhe Europa Lindore.

Sipas të dhënave, të ardhurat për frymë në Shqipëri ishin rreth 8,500 dollarë amerikanë në vitin 2023. Për të kaluar në kufirin e vendosur për ekonomitë me të ardhura të larta (rreth 14,000 USD për frymë), Shqipërisë i duhen rreth 20 vite zhvillim të qëndrueshëm. Por edhe atëherë, vendi do të jetë ende larg standardeve të Bashkimit Europian. Për të arritur nivelin aktual të jetës në BE, projeksionet e BERZH parashikojnë se Shqipërisë mund t’i duhen mbi gjysmë shekulli.

Aktualisht, Shqipëria bën pjesë në kategorinë e vendet me të ardhura të mesme-të larta, sipas përkufizimeve të Bankës Botërore që klasifikon ekonomitë bazuar në të ardhurat për frymë. Ky grup përfshin vende që kanë të ardhura vjetore për frymë mes 4,500 dhe 14,000 USD.

Në të gjithë rajonin ECA, raporti tregon një rritje të ngadaltë ekonomike, e cila po i largohet gjithnjë e më shumë objektivit për t’u bërë ekonomi me të ardhura të larta. Vende si Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja & Hercegovina janë më afër këtij objektivi, me një horizont kohor prej 10 deri në 18 vite. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka nevojë për më shumë se 20 vite për ta arritur këtë status.

Për vendet si Gjeorgjia, Uzbekistani, Armenia apo Kirgistani, kalimi në kategorinë e ekonomive të zhvilluara konsiderohet thuajse i pamundur në më pak se 80–100 vjet, duke reflektuar nivele shumë të ulëta të produktivitetit dhe pengesa të thella strukturore.

Raporti vëren se Ballkani Perëndimor dhe Europa Qendrore janë goditur më rëndë pas pandemisë, me devijime negative të theksuara nga parashikimet e vitit 2019. Përjashtimi i vetëm pozitiv është Turqia, që ka tejkaluar pritshmëritë, duke shënuar një devijim pozitiv prej 10%.

Banka Botërore thekson se pengesat kryesore për zhvillimin e mëtejshëm janë:

  • rritja ekonomike nën potencial,
  • mungesa e reformave strukturore,
  • dhe vonesat në investimet në kapitalin njerëzor dhe integrimin teknologjik.

Si referencë, tre vende kanë kaluar këtë vit në grupin e ekonomive me të ardhura të larta:

  • Bullgaria, përmes një rritjeje të qëndrueshme post-pandemi,
  • Ishujt Palau, me rimëkëmbje të turizmit,
  • dhe Rusia, ku rritja është nxitur nga aktiviteti ushtarak dhe sektori i ndërtimit.

Për Shqipërinë, ky raport është një alarm i heshtur, por i qartë: pa reforma të thella dhe një strategji zhvillimore të qartë, ëndrra për një standard europian të jetës mbetet e largët.

Publikuar nga Publik Media