
Banka e Shqipërisë i heq licencën “Soft & Solution”, kompania e Ermal Beqirit humbet statusin si institucion i parasë elektronike
Banka e Shqipërisë ka vendosur të shfuqizojë licencën e institucionit financiar të parasë elektronike “Soft & Solution”, kompania në pronësi të biznesmenit Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e bujshme të tenderave të AKSHI-t.
Vendimi vjen pas zhvillimeve penale që rëndojnë mbi Beqirin, ndaj të cilit Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar urdhër arresti që në dhjetor të vitit të kaluar, nën dyshimin për përfshirje në grup të strukturuar kriminal.
Sipas arsyetimit të Bankës së Shqipërisë, megjithëse akuzat penale nuk lidhen drejtpërdrejt me aktivitetin financiar të kompanisë, subjekti nuk përmbush më kriterin ligjor të “reputacionit të përshtatshëm” të aksionarit, element thelbësor për të mbajtur licencën në sektorin financiar.
“Soft & Solution” ishte licencuar si institucion i parasë elektronike në nëntor 2021, por operimin real në treg e nisi vetëm vitin e kaluar përmes platformës “ALPay”, e cila ofronte shërbime pagesash elektronike dhe ishte integruar edhe me sistemin shtetëror e-Albania për pagesat e shërbimeve publike.
Heqja e licencës përbën goditje të drejtpërdrejtë për aktivitetin financiar të kompanisë, ndërsa zhvillimi thellon krizën ligjore që ka përfshirë rrjetin e bizneseve të lidhura me Ermal Beqirin.
Ndërkohë, hetimet ndaj tij dhe ndaj “Soft & Solution” janë bashkuar me dosjen penale të AKSHI-t, ku SPAK po heton një skemë të dyshuar manipulimi tenderash me vlerë dhjetëra milionë euro. Në qendër të kësaj çështjeje janë edhe dyshimet se Beqiri, së bashku me Ergys Agasin, kanë drejtuar një strukturë kriminale që ushtronte presion mbi operatorët ekonomikë, duke i detyruar të tërhiqeshin nga garat publike.
Sipas materialeve hetimore, skema ka krijuar një treg të mbyllur oligopolistik në tenderat e AKSHI-t, ku fondet publike përqendroheshin në pak kompani private të ndërlidhura mes tyre, duke deformuar konkurrencën dhe duke cenuar transparencën në prokurimet shtetërore.
Rasti ngre pikëpyetje serioze edhe për sigurinë e sistemit të pagesave elektronike që operonin përmes platformave të lidhura me shërbimet publike digjitale.







