Kompania që shfrytëzoi Shqipërinë dhe korruptoi shtetin megaafera që lidh politikën, drejtësinë dhe diplomacinë dhe askush nuk mban përgjegjësi
Letër e hapur drejtuar Kryetarit të SPAK, z. Altin Dumani
Kryetar i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)
I nderuar z. Dumani,
Ju drejtohem si qytetar i këtij vendi që prej vitesh shoh si ka degraduar çdo hallkë e shtetit dhe sa të korruptuar e kemi administratën deri në piramidën e lartë shtetërore.
Si një njeri i zakonshëm, që nuk ka akses në korridoret e pushtetit por ka shumë informacione nga profesioni dhe media që drejtoj prej vitesh, duke mbajtur gjallë një grimë besimi se drejtësia në Shqipëri nuk ka vdekur dhe se ende mund të ngrihet, nëse njerëzit me integritet marrin guximin të veprojnë.
Këto ditë, Shqipëria është tronditur nga faktet dhe dëshmitë e reja mbi një nga skandalet më të mëdha pas viteve ’90: afera Bankers Petroleum. Një histori që nuk ka të bëjë thjesht me shifra dhe kontrata, por me dinjitetin e nëpërkëmbur të një populli, me shtetin e shkatërruar nga korrupsioni, dhe me institucionet që heshtën kur duhej të vepronin.
Që ditën kur kjo kompani u fut në tregun shqiptar të naftës, e deri më sot, janë përfituar mbi 4 miliardë euro nga pasuritë nëntokësore të vendit, ndërkohë që kontributi në buxhetin e shtetit ka qenë thuajse zero. Hetimet e fundit të Prokurorisë së Fierit dhe arrestimet e kryera dëshmojnë për një skemë të mirëorganizuar kriminale: evazion fiskal, pastrim parash, falsifikim bilancesh, fatura fiktive dhe shkelje flagrante të ligjeve shqiptare.
Por kjo nuk është thjesht një çështje lokale. Nuk mund të trajtohet vetëm në Fier. Nuk është as vetëm një dosje e zakonshme financiare. Kjo është një çështje kombëtare, që prek të gjithë shqiptarët dhe pasuritë që u përkasin brezave të sotëm dhe të ardhshëm.
Z. Dumani,
Nuk po ju shkruaj për të kërkuar drejtësi thjesht nga një funksionar i sistemit, por nga një prej të vetmëve që gëzon besimin e publikut në një kohë ku gjithçka tjetër duket e kalbur. Kjo çështje kërkon guximin dhe vendosmërinë e një institucioni që ka si mision luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.
Sepse nuk jemi më në fazën kur mund të flasim për “mungesë transparence” apo “shkelje procedurash”.
Jemi përballë një modeli të ngjashëm me atë të inceneratorëve, ku shteti, në mënyrë të ndërgjegjshme, ka lejuar dhe mbështetur një vjedhje kolosale, ndërsa të gjithë ata që ishin të ngarkuar për të kontrolluar, kanë mbyllur sytë dhe kanë heshtur.
Nuk mund të japësh një pasuri kombëtare për dy dekada dhe të mos marrësh asgjë në këmbim, nëse kjo nuk është korrupsion i organizuar shtetëror, atëherë çfarë është?
Ashtu si në rastin e inceneratorëve, ku nuk kishte as incenerator dhe asnjë zyrtar nuk pyeste ku shkonin fondet, edhe këtu ka ndodhur një vjedhje e heshtur dhe e ligjëruar. Shteti shqiptar ka dështuar me vetëdije në mbrojtjen e interesit publik.
Sa më shumë të gërmohet në këtë çështje, aq më shumë do të dalin në dritë lidhje të errëta, bashkëpunëtorë të heshtur, përfitues të drejtpërdrejtë dhe tërthorë.
Nuk është vetëm një histori evazioni, por një histori e kapjes së shtetit, ku privatja dhe publiku janë shkrirë në një simbiozë korruptive, ku zyrtarët nuk i shërbejnë më qytetarëve por kompanive.

Disa vite më parë, ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, në një përplasje publike me Ambasadorin amerikan Donald Lu, deklaronte se i ishte ndaluar hetimi për Bankers Petroleum. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë jemi përballë një realitet tronditës: baballarët e reformës në drejtësi, kanë qenë njëkohësisht mburoja e aferave që ajo reformë supozohej të shkatërronte.
Kjo e bën çështjen edhe më të ndërlikuar dhe më të rrezikshme: sepse shkon përtej individëve, dhe zbulon ndërthurjen e interesave mes politikës, diplomacisë dhe krimit ekonomik.
Prandaj kërkoj publikisht nga ju:
- Të rimerret nën hetim e gjithë dosja Bankers, duke nisur që nga kontrata koncesionare ;
- Të hetohen të gjitha institucionet shtetërore, ministritë, agjencitë, bashkitë dhe individët që kanë pasur detyrën për të monitoruar veprimtarinë e kësaj kompanie;
- Të zbulohet struktura reale e pronësisë së Bankers, përtej fasadave offshore dhe guackave financiare;
- Të hetohet roli i zyrtarëve të drejtësisë dhe politikës që kanë penguar hetimet ndër vite;
- Të bëhet kalkulimi i plotë i dëmit ekonomik, financiar dhe mjedisor të shkaktuar nga kjo kompani.
Zoti Dumani,
Nëse kjo çështje mbetet në heshtje, atëherë do të mbetet edhe një njollë e errët në ndërgjegjen kolektive dhe do të minojë besimin e pakët që ka mbetur te drejtësia.
Nuk ka më kohë për të pritur. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi.
Dhe nëse dikush mund ta bëjë këtë, ai jeni ju.
Në emër të çdo qytetari që ka paguar faturën e padrejtësisë,
Në emër të brezave që do të kërkojnë llogari,
Në emër të së vërtetës,
Naim Noka
Tiranë, Korrik 2025