Protesta e banorëve të Rrjollit ka hyrë në një fazë të re tensioni, ndërsa akuzat janë fokusuar drejtpërdrejt te ajo që ata e cilësojnë si një “skandal falsifikimi dokumentesh” për përvetësimin e rreth 1,500–2,000 dynym tokë bregdetare. Në qendër të debatit është edhe vijimi i punimeve nga investitori Bashkim Ulaj, pavarësisht një konflikti të hapur pronësor.
Përfaqësuesja e banorëve, Luciana Koka, deklaroi se certifikata e pronësisë e vitit 1997, mbi të cilën mbështetet pala kundërshtare, është e falsifikuar. Sipas saj, mospërputhjet janë të dukshme në elementë zyrtarë si vula dhe pulla fiskale, të cilat – sipas pretendimeve të banorëve – nuk përkojnë me formatet e përdorura në vitet 1995–1997, por i përkasin një periudhe të mëvonshme.
“Falsifikimi është bërë në mënyrë amatore dhe është lehtësisht i verifikueshëm nga ekspertiza”, u shpreh ajo, duke i kërkuar Prokuroria e Shkodrës një akt-ekspertim të menjëhershëm dokumentar dhe topografik për të provuar, sipas tyre, se prona e pretenduar është zhvendosur disa kilometra larg pozicionit real.
Dokumente historike dhe dyshime mbi trashëgiminë
Banorët deklarojnë se disponojnë dokumentacion që daton nga vitet 1927–1930, regjistrime të vitit 1947 për shpronësimet, si dhe vendime gjykate të viteve 1996 dhe 2008. Sipas tyre, mbetet e pashpjegueshme se si një sipërfaqe kaq e madhe toke bregdetare mund të rezultojë e trashëguar nga një person i vetëm, “pa asnjë bashkëtrashëgimtar”, në një zonë ku historikisht kanë jetuar dhjetëra familje pronare.
Akuza të drejtpërdrejta ndaj investitorit
Protestuesit, në një lidhje direkte për emisionin “Breaking”, pretendojnë se Bashkim Ulaj është vënë në dijeni për konfliktin pronësor dhe për kallëzimin penal për falsifikim, por megjithatë punimet kanë vijuar. Sipas dëshmive të bëra publike, në një takim me përfaqësues të familjeve, investitori ka propozuar një marrëveshje që parashikonte 20% të sipërfaqes së ndërtimit pas pesë vitesh, me kusht paraqitjen e certifikatës së pronësisë.
Banorët e kanë refuzuar ofertën, duke e cilësuar si përpjekje për të legjitimuar një proces që, sipas tyre, mbështetet mbi dokumente të manipuluara.
“Ne e kemi njoftuar që dokumentet janë false. Nuk mund të fshihesh pas faktit që je investitor dhe jo jurist”, deklaruan ata, duke theksuar se përgjegjësia morale dhe ligjore, sipas tyre, nuk mund të shmanget kur ekziston një kallëzim penal në shqyrtim.
Leja e ndërtimit dhe procesi gjyqësor
Një tjetër pikë përplasjeje është fakti që leja e ndërtimit është firmosur më 16 janar nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ndërkohë që çështja e pronësisë ndodhet në proces gjyqësor dhe është objekt hetimi.
Banorët shprehen se institucionet reaguan me shpejtësi për procedimin penal të 25 protestuesve pas incidenteve në terren, por – sipas tyre – nuk kanë vepruar me të njëjtin intensitet për të verifikuar akuzat për falsifikim që, siç pretendojnë, qëndrojnë në themel të gjithë projektit.
“Pa zbardhjen e falsifikimit, nuk ka paqe”
Protestuesit paralajmërojnë vijimin e tubimeve deri në një përgjigje përfundimtare nga organet e drejtësisë mbi autenticitetin e dokumenteve. Ata kërkojnë publikimin e akt-ekspertizës dhe pezullimin e menjëhershëm të punimeve deri në sqarimin e plotë të pronësisë.
Sipas tyre, çështja ka tejkaluar kufijtë e një projekti turistik dhe tashmë lidhet me legjitimitetin e titujve të pronësisë në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit verior, si dhe me përgjegjësinë e çdo institucioni apo individi të përfshirë në këtë proces të kontestuar.







