Banorët e Rrjollit në protestë para Prokurorisë së Shkodrës

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Vijon konflikti i ashpër për çështjen e pronave

Tensionet për çështjen e pronave në zonën e Baks-Rrjollit janë përshkallëzuar, teksa banorët kanë dalë këtë të mërkurë në protestë përpara Prokurorisë së Shkodrës, duke kërkuar përshpejtimin dhe përfundimin e hetimeve që, sipas tyre, po zvarriten prej më shumë se një viti.

Protestuesit akuzojnë se dosja është bllokuar qëllimisht dhe se procesi hetimor është devijuar, duke ngritur shqetësime edhe për mënyrën se si janë trajtuar provat dhe ekspertizat. Sipas tyre, ndryshimi i pyetjeve drejtuar ekspertëve topografikë është një tregues i ndërhyrjeve në hetim.

Banorët kërkuan një takim të drejtpërdrejtë me drejtuesit e Prokurorisë së Shkodrës, ndërsa paralajmëruan përshkallëzim të reagimit nëse çështja nuk merr zgjidhje. Ata theksuan se do të vijojnë protestat deri në zbardhjen e plotë të dosjes dhe garantimin e të drejtave të tyre mbi pronat.

Situata është tensionuar më tej pas një episodi të ndodhur një ditë më parë në Lezhë, ku aktivisti Gëzim Pjeshka, një nga zërat kryesorë të komunitetit, u shoqërua nga policia gjatë një aktiviteti ku ishte i pranishëm edhe Edi Rama.

Pjeshka e ka cilësuar ndërhyrjen e policisë si të pajustifikuar, duke e interpretuar atë si presion ndaj banorëve që kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik në zonë.

Prej rreth tre muajsh, komuniteti i Baks-Rrjollit ka organizuar protesta dhe kundërshtime të vazhdueshme ndaj projektit, të cilin e konsideron si kërcënim për pronat dhe mjedisin natyror të zonës.

Publikuar nga Publik Media